Teksa u kërkoi votën në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kryeministri Edi Rama u foli shqiptarëve të Anglisë për veprimet e fundit të opozitës. Sipas tij, opozitarët në përpjekjet për pushtet përdorën edhe vrasjen e 14 vjeçarit.

 “Askush s’pyet për viktimën e as familjen e tij, e kthyen në mish për top”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë shtoi se sfida e probleme ekzistojnë në çdo shoqëri të çdo vendi.

“Ku bën vaki?! Ju jeni këtu, jetoni këtu dhe ndiqni jetën e përditshme të një vendi kaq të madh e të pasur, por me shumë probleme. Pa u varrosur ende kufoma e një viktime të pafajshme, të dalin të gjithë djajtë nga shishet dhe t’ja marrin valles për pushtet, duke shkelmuar trurin e njerëzve të lënduar me plot të drejtë prej tragjedisë. Sa më shumë bien shifrat e vrasjeve, sa më shumë rritet siguria e Shqipërisë, se jo më këto miliona e miliona turistë që vijnë tre gjëra përsëritin, mikëpritja, ushqimi e siguria. Ju e dini se çfarë do të thotë të çosh fëmijën në një shkollë në lagje të pasurish dhe ta çosh aty ku s’është dhe aq e pasur. Kudo ka probleme e sfida, por në Shqipëri çdo afrim me Europën përpiqet të zhbëhet me mllef.”

Kundërshtarët politikë i cilësoi  “shembullin më të keq për fëmijët e rininë”.

“Në cilën film vatër më dhunënxitëse se sa vetë parlamenti ku deputetët në vend që të flasin në emër të atyre që duan një qeveri më të mirë në qëllimin tonë të përbashkët, shajnë me libër shpie orë e çast, ngrënë duart e këmbët, gjuajnë me shishe, djegin karrige dhe pastaj mezi presin të marrin zvarrë një viktimë për ta përdorur për luftën e tyre të ulët për pushtet.”

/tvklan.al