Në mbledhjen e radhës së Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë kryeministri Fatos Nano në fjalën e tij ka theksuar ndër të tjera dhe mbi hipotekimin e karabinasë së ndërtimeve. Sipas kryeministrit, buxheti i shtetit ka përfituar 6 milionë dollarë nga hipotekimi i karabinasë të cilat do të përdoren sidomos për politikat e strehimit.
Fatos Nano: “Mundësia që shteti po i krijon industrive të ndërtimit me hipotekimin e objekteve qysh në fazën e karabinasë, përveç kolateralit në tregun bankar dhe financiar që e kapërcen ndjeshëm gjysëm miliardi dollarë, do të vërë në lëvizje një botë të tërë, një treg të tërë që vërtitet rreth industrisë së ndërtimit e cila po vjen gjithnjë e më mirë në qëndrueshmëri dhe cilësi të kohës. Do të doja të theksoja këtë fakt, arka e shtetit, buxheti në disa nivele përfiton rreth 6 milionë dollarë nga hipotekimi i karabinave. Arrijmë së bashku te konkluzioni se ky është rezultat i politkave konstante dhe koherente që kanë si busull zhvillimin në standtartet perëndimore të jetës urbane.”
Më pas mbledhja ka vazhduar me diskutime për një sërë projektesh. Ndër projektet, të cilat u morën në shqyrtim gjatë kësaj mbledhje, mund të përmenden: miratimi i sheshit të ndërtimit për fushën e mbeturinave në rajonin e Korçës, fabrika e prodhimit të çimetos në mes të rrethit të Shkodrës, impianti i përpunimit të ujrave të zeza në qytetin e Kavajës si dhe projekte për fshatra turistikë në Golem. Po ashtu këtu u mor në shqyrtim dhe ndryshimi i studimit urbanisitik në territorin në krahun e djathtë të ekspozitës “Shqipëria Sot”. /tvklan.al