Lajme Arkiva – Tv Klan 2000
Në Ohër të Maqedonisë është zhvilluar takimi me temë “Europa Juglindore, një vit pas Paktit të Stabilitetit”, ku morën pjesë mjaft personalitete të rajonit. I ftuar në këtë takim kryetari i Partisë Socialiste Fatos Nano, bën publike iniciativën e ish-presidentit bullgar Zhelio Zhelev, për krijimin e një klubi ballkanik me politikanë të elitës, ku është i ftuar për bashkëpunim dhe ish-presidenti Sali Berisha.
Fatos Nano, Kryetar i PS:- “Unë do të veçoja idenë e krijimit të një klubi të politikanëve të Ballkanit, ku jam ftuar dhe unë të jem anëtar themelues. Koncepti është që në një format të tipit të klubit të Romës apo të Parisit, të ftohen personalitete politike të Ballkanit, nga vendet anëtare të procesit të Paktit të Stabilitetit, ku të zhvillohen analiza nga liderët ballkanik, që janë të orientuar nga përshpejtimi i integrimit Euroatlantik të rajonit”.
Lidhur me pjesmarrjen e Berishës në këtë klub të elitës së politikanëve ballkanik, Nano tha:
Fatos Nano, Kryetar i PS:- “Është një provë është një sfidë dhe për përfaqësues të opozitës, që të punojnë dhe të bashkëpunojnë konkretisht për këto synime dhe të ndahen nga populizmi. Në rast se Berisha është i gatshëm të ndahet nga populizmi atëhere nuk mendoj se është i paragjykueshëm vendi dhe pjesmarrja e tij në këtë iniciativë”./tvklan.al
Gazetare – Mimoza Picari