Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Krerët e bashkive në të gjithë vendin, Ministri i Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit, shefi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe përfaqësues nga zyrat e gjendjes civile, kanë diskutuar mbi problemin listave të zgjedhësve, nën drejtimin e kryeministrit Nano. Përgatitja e infrastrukturës zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ngjalli konfliktin mes shefit të qeverisë dhe liderit të shoqatës së kryebashkiakëve të vendit.
Në fillim ministri Ben Blushi përcaktoi se:
Ben Blushi: “Organet e qeverisjes vendore, janë kryekëput përgjegjëse të përditshme, për të bërë ndryshimet e duhura në drejtim të regjistrit kombëtar të gjendjes civile.”
Shefi i qeverisë tha, se për listat e zgjedhësve duhet shmangur influenca politike. Sipas tij po veprohet me ngadalësi ndaj anomalive të shfaqura në procesin e zgjedhjeve të kaluara.
Fatos Nano: “Zgjedhje pas zgjedhjesh edhe në ato të fundit, u është mohuar mjaft qytetarëve e drejta për të votuar dhe pavarësisht se misionet e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe shoqatat e specializuara të vendit, nuk kanë konstatuar manipulim me listat e votuesve për ndryshim për rezultatin, më pas ky kontest është kthyer në një sistem biell-manivell, që sjell hije dhe dyshime mbi procesin zgjedhor në Shqipëri.”
Kreu i shoqatës së kryebashkiakëve të Shqipërisë Edi Rama dhe kryetari i KQZ Ilirjan Celibashi, u shprehën në takim se përgatitja e listave të zgjedhësve, për zgjedhjet e vitit 2005 është e pamundur. Sipas tyre teknikisht problemi qëndron tek sistemi i adresave dhe regjistri i gjendjes civile, por dhe ana financiare për këtë çështje kërkon vëmendjen e qeverisë.
Ilirjan Celibashi: “Zgjedhjet e vitit 2005, implementimi në sasi dhe në cilësi, i këtij legjislacioni, për mendimin tonë është i pamundur. Fakti është që është rreth 20-22% të paktën e shtetasve shqiptarë me të drejtë vote, të cilët banojnë jo atje ku kanë regjistrin e gjendjes civile. Në qoftë se këta do të përfshihen në listën e zgjedhësve dhe mesa duket politika është e prirur që edhe për këto zgjedhje këta shtetas të lejohen të votohen atje ku ata kanë vendbanimin e tyre pavarësisht se vendqëndrimin mund ta kenë diku tjetër, atëherë kjo kërkon edhe një zgjidhje nënligjore të paktën të përkohshme. Është e vështirë që sa kohë institucione të caktuara shtetërore nuk e kanë informacionin ligjor, në lidhje me atë se ku banojnë shtetas të ndryshëm me të drejtë vote është e vështirë për të pretenduar, që ne të kemi një vendosje të saktë të tyre në qendrën e duhur të votimit.”
Edi Rama: “Sistemi i adresave dhe hartat urbane të qyteteve, janë elementë të cilët ekzistojnë në një gjendje të papërdorshme sot në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Unë këtë e them me përgjegjësi. Të jetë qytetari ai që të ketë të drejtën dhe të ushtrojë vullnetin e lirë për t’u regjistruar për të votuar dhe jo shteti ai që duhet t’i gjëmojë nga mbrapa qytetarit nga njëri cep në tjetrin për t’a gjetur për të regjistruar dhe për ta pasur në listë. Ne do të jemi të pamundur pavarësisht se cila forcë politike do të ketë mekanizmin qeverisës në dorë, për të organizuar zgjedhje të atyre standardeve që i dëshirojmë të gjithë dhe cilido që thotë të kundërtën, thjesht spekulon nga pozitat e atij që nuk ka gjë në dorë.”
Menjëherë më pas, kryeministri ka dashur të replikojë me kryebashkiakun Rama.
Fatos Nano: “Edhe shqiptarët në SHBA, i dashur Edi, nuk e shfrytëzojnë plotësisht të drejtën për t’u regjistruar për të votuar, pavarësisht se vullnetarisht japin para për të lobuar njëri kandidatë apo tjetrin, republikanë apo demokratë. Bashkë ishim herën e fundit aty dhe ti ke dëgjuar që ata kanë të drejtë të regjistrohen, unë dëgjova që japin para pa u regjistruar fare për të votuar.”
Kryeministri e theksoi se për listat e zgjedhësve kompetenca u takon organeve të qeverisjes vendore, duke shkarkuar të gjitha përgjegjësitë në rast dështimi të infrastrukturës së duhur për zgjedhjet e vitit 2005.
Fatos Nano: “Ka një ligj që ngarkon autoritete institucionale precize për të bërë listat, apo për të korrigjuar listat.”
Kreu i shoqatës së kryebashkiakëve të vendit Rama, duke shmangur konfliktet në planin personal me kryeministrin, përcaktoi se:
Edi Rama: “Ne jemi shumë të gatshëm që të vihemi tërësisht në dispozicion të procesit, por nuk jemi të gatshëm që marrim të tërë përgjegjësinë, duke bindur paraprakisht, se janë këto dy element që janë me shumë boshllëqe.”/tvklan.al
Gazetare: Arta Tozaj