Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit “Apollon 2008”,  ku morën pjesë 8 grupe teatrore nga Shqipëria dhe Kosova ka mbyllur siparin e shfaqjeve. Nata finale u shoqërua edhe me ndarjen e çmimeve për aktorët më të mirë. Çmimi i parë për rolin e protagonistit është fituar nga aktorët Yllka Mujo e Timo Flloko. Artisti i Popullit Luftar Paja u nderua me çmimin e karrierës, duke falënderuar jurinë e publikun për vlerësimin e madh.

Luftar Paja: “Faleminderit për nderin e madh, për vlerësimin që më bëni, vetëm kam një merak, do ta zvogëloj dot borxhin që i kam spektatorit të Fierit dhe mbarë Shqipërisë, nuk e di. Do të mundohem me mish e me shpirt sa të kem jetën.”

Çmimi i dytë jo debutues iu dha aktorëve Loredan Gjeçi dhe Sanije Hoti. Juria e festivalit nderoi me një çmim special aktorin kosovar 62-vjeçarin Çun Lajçi.

Çun Lajçi: “Sa mirë me pas shtet, do të jem aktori i parë që “Apolloni 2008” e çoj në republikën e Kosovës.”

Për gati një javë rresht spektatori fierak ndoqi shfaqje të trupave teatrore të përzgjedhura si më të mirat në rrafshin mbarëkombëtar. Festivali u mbyll me shfaqjet përshëndetëse të trupës së teatrit të Korfuzit në Greqi dhe asaj Italiane./tvklan.al