Televizioni Kombëtar KLAN dhe regjisorja Vera Grabocka, do të sjellin sonte në mbrëmje natën gala të spektaklit “Dua më shumë Shqipërinë”.

Edicioni i katërt i spektaklit madhështor rikthen në atdheun e tyre shqiptarët, të cilët kanë kontribuar në ngritjen e imazhit të Shqipërisë. Shumica prej tyre mbeten surprizë për mbrëmjen e madhe, por arritëm që të zbulonim disa nga emrat gjatë zhvillimit të provave.

Eno Peçi, balerini i parë në operën e Vjenës, futbollisti i Marsejës, Lorik Cana dhe Ergin Kuke, një artist i vërtet në efektet tredimensionale të filmave. Do të jenë disa nga emrat e njohur që do të ngjiten në skenën e madhe të Pallatit të Kongreseve. Spektakli do të drejtohet nga emrat e njohur, Alketa Vejsiu dhe Timo Flloko.

Alketa Vejsiu: “Është një kënaqësi e veçantë pa diskutim. Është një nga projektet më prestigjioze dhe më të bukur që Vera Grabocka ka realizuar në vite. Një projekt që unë nëntë vite më parë ku isha ende një adoleshente në bankat e gjimnazit ëndërroja që ta prezantoja. Sot kam fatin që të jem mbi këtë skenë mes emrave më prestigjiozë të artit shqiptar, por në botë janë ata ambasadorët e kulturës shqiptare në botë, emra që hapin sezonin operistik në La Scala, në teatrin e Vjenës, në teatrot më të rëndësishme botërore nga San Francisko deri në Toronto të Kanadasë apo deri në Tokio të Japonisë, emra që sonte për fat publiku shqiptar do të ketë rastin që t’i shohë, t’i duartrokasë dhe t’i kthejë këtë dashuri që ata do t’i dhurojnë.”

Timo Flloko: “Për mua sigurisht është e përgjegjshme. Unë jam artist i fjalës, por nuk jam profesionist i drejtimit skenik siç është Alketa, Arditi, Adi Krasta, e të tjerë. Interesante është që në këtë mbrëmje unë do të ndjej ngrohtësinë e artistëve që vijnë që nga Jim Belushi, e të tjerë e të tjerë, Josif Gjipali, artistë të mëdhenj që kanë shkëlqyer në skenat e botës. Kjo do të ishte ajo çfarë ka të veçantë për mua kjo gjë”./tvklan.al