Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Një investim i vogël i Bashkësisë Ndërkombëtare do të evitonte krizën në Kosovë. Kështu mësohet t’i ketë thëne sot Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Xhorxh Robertson, Sekretarit të Përgjithshëm të OKB Anan në një takim të tyre në seline e OKB. Sipas Robertson ekziston një linjë shumë e hollë ndërmjet suksesit dhe dështimit në Kosovë.

Sipas njeshit te NATO-s, shkalla e dhunes në Kosovë është reduktuar, kjo falë punës së trupave paqeruajtëse. Por Robertson nuk ka nguruar të fajesojë misione të OKB-së që veprojnë në Kosovë se nuk kanë levizur mjaft shpejt. Problemi esencial në Kosovë, kanë konkluduar Anan dhe Robertson, mbeten paratë. Nëse tani do investohet pak do të kursehet mjaft në të ardhmen.

Ndërsa nesër në Prishtinë do mbahet një protestë e madhe për lirimin e mëse 7 mijë pengjeve shqiptare nga burgjet e Serbisë. Po nesër në Prishtinë pritet të zhvillohet Konferenca Nderkombetare per te Drejtat e Njeriut, organizuar nga UMNIK dhe OSBE.

Serbët kanë filluar një fushatë terrori gjyqësor në procese të montuara, akuza fallso dhe dënime drakonike për të burgosurit shqiptarë. Po sot në Gjykatën e Nishit, sot është nxjerrë për herë të tretë poetja e shquar Flora Brovina e rrëmbyer në shtëpinë e saj në Prishtinë nga forcat serbe./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj