Ministrat e Jashtëm të shteteve anëtare të NATO-s diskutuan në Bruksel mbi masat e nevojshme që duhen ndërmarrë për adresimin e kërcënimeve të gjithanshme të sigurisë, përfshirë këtu edhe për kërcënimet hibride sidomos nga Rusia.
Kryediplomati Hasani theksoi nevojën kritike për të forcuar kohezionin e NATO-s, veçanërisht në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor, për të kundërshtuar në mënyrë efektive kërcënimet ndërkufitare dhe për të përforcuar aftësitë parandaluese dhe mbrojtëse.
Kryediplomati shqiptar ritheksoi përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj Lidhjes Transatlantike, si “gur themeli” të NATO-s.
Hasani bëri me dije se, Shqipëria po investon aktualisht 2.03% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në mbrojtje, me fokus modernizimin e Forcave të Armatosura, ndërsa po punohet për arritjen e 3% të PBB, deri në vitin 2030.
Ministrat e Jashtëm miratuan një sërë dokumentesh për çështje të ndryshme të Aleancës si dhe në kuadër të përgatitjeve për Samitin e NATO-s në Hagë që mbahet në datat 24-25 qershor 2025.
Klan News