Ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare ish-Kryeministri grek, Kostas Simitis. Politikani i majtë u shua mëngjesin e kësaj të diele në rezidencën e tij verore në Peloponez.
Simitisit i njihet si meritë përfshirja e Greqisë në zonën e monedhës së përbashkët Euro në vitin 2001, hapi më i rëndësishëm për përafrimin e vendit me standardet europiane që pas anëtarësimit në Bashkimin Europian 1981-shin.
Përfshirjen e Greqisë në zonën Euro, Simitis e arriti falë reformave të guximshme gjatë dy mandateve të tij qeverisës nga 1996 në 2004-ën, kur uli borxhin publik dhe deficitin buxhetor për të përmbushur kushtet e Brukselit.
Ndërsa në librin “Dalja nga binarët” për krizën e thellë ekonomike të Greqisë të nisur në 2012-ën, pjesë e asaj të Eurozonës, Simitis kritikoi qeveritë pasardhëse për papërgjegjshmëri me rritjen e shpenzimeve, por edhe Komisionin Europian që i la dorë të lirë Athinës në këtë rrugë.
Kostas Simitis shquhet edhe për kontributin për forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë me vizitën në Tiranë në 1999 dhe ndihmën e madhe për shqiptarët gjatë luftës së Kosovës. Qeveria greke shpalli 4 ditë zie kombëtare në nderim të tij.
Tv Klan