Ministri plotësues i punëve të jashtme të shtetit grek Dimitris Droutsas e ritheksoi në Tiranën zyrtare angazhimin e shtetit fqinj për integrim në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor në vitin 2014, një afat i zgjedhur jo pa qëllim nga kryeministri Papandreu hartues i planit që mban emrin e tij.
Ky vit shënon 100 vjet nga fillimi i Luftës së Parë Botërore, dhe Evropa si simbol i paqes duhet të japë shembullin duke integruar vendet e Ballkanit Perëndimor.
Dimitris Droutsas: “Greqia si dhe vetë zoti Papandreu ka depozituar një propozim të ri për avancimin e mëtejshëm të ecurisë integruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kemi thënë kemi theksuar se na duhet të krijojmë një dinamikë të re në këtë ecuri dhe besojmë se këtë dinamikë mund t’ia arrijnë duke vendosur një pikë kulmore të kësaj ecurie dhe kjo pikë kulmore, datë integruese themi thënë që duhet të jetë 2014.”
Pas një takimi që zgjati të paktën 1 orë, ministri shqiptar i punëve të Jashtme Ilir Meta tha se angazhimi i Greqisë në proceset integruese të Shqipërisë, por dhe gjithë rajonin daton prej samitit të Selanikut.
Meta vlerësoi se Greqia ka treguar të jetë për Shqipërinë një partner i shkëlqyer dhe mbështetës i fortë politik.
Ilir Meta: “Ne jemi shumë të lumtur për këtë impuls të ri dhe të fuqishëm që Greqia dhe kryeministri Papandreu duan ti japin anëtarësimit të vendeve tona në BE dhe kjo nuk është diçka e re. Bazat e këtij progresi të vendeve tona drejt BE-së janë hedhur në mënyrë tepër solide pikërisht në samitin e Selanikut.”
Vizitën e tij në Tiranë ministri grek ftoi të lexohet si mbështetje e garantuar e shtetit fqinj, për integrimin evropian i Shqipërisë.
Dimitris Droutsas: “Prezenca ime këtu sot nënvizon si rëndësinë që i jep Greqia marrëdhënieve tona dypalëshe, ashtu edhe mbështetjes për ecurinë evropiane të Shqipërisë. Ne shohim me kënaqësi që Shqipëria ecën përpara me hapa stabile në reformat që ajo bën.”
Në përgjigje të interesit të gazetarëve, Meta-Droutsas risqaruan pozicionin e palëve lidhur me marrëveshjen që përcakton ndarjen e ujërave detare mes dy vendeve.
Sikundër dihet, PS e ka ankimuar marrëveshjen në Gjykatë Kushtetuese. Meta tha se është hedhur baltë mbi marrëveshjen dhe është disinformuar opinioni publik në një kohë kur qeveria ka ofruar gjithë dokumentacionin e nevojshëm për transparencën e plotë mbi procesin.
Ilir Meta: “Parlamenti nuk ka stopuar procedurat për marrëveshjen, por parlamenti për arsye edhe të atyre ndjeshmërive që mund të keni krijuar ju dhe të tjerë dhe për fat të keq dhe të asaj fushate disinformuese, aq më keq bëjnë edhe drejtues të lartë të opozitës. Është treguar i hapur për ti dhënë më shumë kohë dhe opinioni publik dhe gjithë atyre që janë të interesuar për të kuptuar që kjo është një marrëveshje në interes të të dy vendeve dhe mund t’iu them që është më shumë në interes tonë se sa të Greqisë. Sepse ne duam të bëhemi anëtarë të BE-së Greqia ka dekada që është dhe njëkohësisht sepse do të ishte mirë që në parlament të ishte dhe vetë opozita. Meqenëse ajo është në krye të këtij instrumentalizimi sepse nuk kemi arsye të kalojmë këtë marrëveshje me nxitim dhe pa bërë transparencë të nevojshme dhe me opozitën në parlament.”
Dimitris Droutsas: “Ne konsiderojmë që kjo marrëveshje është në interes reciprok të të dy vendeve dhe përbën edhe një hap të mirë në përpjekjen që po bën Shqipëria drejt perspektivës së saj evropiane. Përsa i përket procedurës së ratifikimit çdo vend ka ato procedurat e veta të ligjshme të cilat janë të respektueshme.”
Meta-Droutsas biseduan për një stad të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve. Rëndësi e posaçme do të vijojë ti kushtohet bashkëpunimit ekonomik, për këtë qëllim javën që vjen do të zhvillohet në Tiranë forumi ekonomik shqiptaro-grek parë si mundësi për rritjen e prezencës së investitorëve grek në Shqipëri./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi