Trajneri francez, Claude Makelele, mori drejtimin e grekëve të Asteras Tripolis në mes të muajit shtator, por aventura aty ka zgjatur më pak se një muaj.
Tekniku 51-vjeçar është larguar dhe shkak për këtë janë bërë ndërhyrjet në formacion nga drejtuesit.
Makelele deklaroi se i kishin kërkuar që të mos e aktivizonte një lojtar, i cili sipas tij ishte më i miri i ekipit.
“Me premtuan se do të kisha kontroll të plotë mbi ekipin. Vendimet se kush luan dhe kush jo, i marr gjithmonë unë. Merkato nuk ishte përgjegjësi e imja. Nëse do të më shkarkonin për shkak të rezultateve do të ishte diçka e mirë. Ky është futbolli. Unë nuk dua të më ndërhyjnë dhe të më thonë se kush duhet të luajë në formacion. Në ndeshjen e fundit, ata insistuan të ulja në stol një lojtar me çdo kusht, por ai ishte më i miri i ekipit. E futa në fushë vetëm 20 minuta dhe ai dha dy asiste, për të na ndihmuar të fitonim ndeshjen.”, deklaroi Makelele.
Ai drejtoi skuadrën greke në tre ndeshje dhe nuk mori asnjë humbje, duke marrë dy barazime dhe një fitore. /tvklan.al