Autostrada Lushnje-Fier do të përfundojë plotësisht në janar të vitit 2009. Sipas parashikimeve të firmës ndërtuese në më pak se dy muaj ai do të hapet në të dy krahët e saj.

Markelian Ndreka: “Një korsi ka mbaruar përfundimisht, 4 km janë bërë deri më sot edhe nga krahu e tjetër dhe shpresojmë që edhe 12 km do mbyllen brenda këtij muaji.”

Tani po kryhet faza përfundimtare e këtij projekti që afron Fierin me Lushnjën dhe të gjithë jugun e vendit me kryeqendrën. Aktualisht po punohet për ndërtimin e mbikalimeve të këmbësorëve dhe automjeteve. Janë parashikuar që të ndërtohen gjithsej 8 mbikalime në autostradë. Nga këto 5 mbikalime hekuri për këmbësorët dhe tre mbikalime betoni për automjetet.

Mbi kalimet po ndërtohen në zonat hyrëse të fshatrave që shtrihen përgjatë autostradës në Savër, Kadiaj, Bishqethem, Korre, të vendi i quajtur Klubi i shoferit dhe në Kolonjë.

Po punohet në 6 mbikalime, ato për këmbësorët do të përfundojnë javën e ardhshme. Ndërsa sipas firmës që po kryen punimet në fund të muajit dhjetor do të përfundojnë mbikalimet për automjetet, duke krijuar kështu lehtësira në qarkullim.

Qytetari 1: “Përsa i përket autostradës ka bërë shumë shumë mirë. Kalojnë dy makina në atë anë, dy këtij ikën rehat.”

Qytetari 2: “Ka qenë pak problem kalimi i këmbësorëve nga ana tjetër e Savrës. Është pak me vonesë, por megjithatë po bëhet një diçka shumë e mirë. Këmbësorët tani janë të sigurtë për jetën e tyre, kanë rrugën e tyre.”

Autostrada pritet gjithashtu të ndikojë dhe në zhvillimin urban të fshatrave ku kalon. Ndonëse banorët e tyre thonë se do të nevojiten edhe disa nënkalime, me qëllim që ata ta kenë më të lehtë për të kaluar në pronat që mbeten në anën tjetër të rrugës.”

Qytetari 1: “Halli për nënkalime duhen, nënkalime nën tokë që kalojnë mjetet e punës, kurse këtu lart shkohet me këmbë.”

Qytetari 3: “Pa u bërë rruga dytësore mbikalimi atje të rruga e Kadiajve nuk ka asnjë lloj vlere. Prodhimi do vijë nga fusha, nga do kalojë të vijë këtu.”

Në autostradën Lushnje-Fier e cila afro këto dy qytete nga distanca 32 km në 21 km është hapur prej muajsh njëri krah i rrugës për kalimin e automjeteve./tvklan.al