Miqësoren me Kilin, trajneri Sylvinho thotë se Kombëtarja Shqiptare e ka marrë seriozisht dhe e konsideron ndeshje të rëndësishme.

Në konferencën për shtyp nga Parma ku do të luhet miqësorja, Sylvinho shprehet se Kili është një skuadër e fortë që është mësuar tashmë me përballje të mëdha, e për këtë arsye Shqipëria nuk e konsideron si miqësore.

“Nesër do ketë një stadium të mbushur me tifozë shqiptarë dhe do jetë një ndeshje mjaft e bukur. Ne nuk po mendojmë për Europianin, na pret puna. Flasim vetëm për 2 ndeshje miqësore, shumë të rëndësishme dhe të vështira. Nuk e cilësojmë miqësore aspak, nuk ka miqësore, të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme. Ndërkohë kemi këtë përballje me Kilin që ka emra të rëndësishëm, është një skuadër që ka marrë pjesë 9 herë në fazë finale të një Botërori. Është skuadër që është mësuar të luajë me skuadrat më të mëdha të botës. Për mua kjo ndeshje është pak e veçantë”, u shpreh Sylvinho.

I pyetur nga gazetarët për Manajn dhe Brojën nëse përshtaten mirë së bashku, Sylvinho tha se kanë karakteristika të ndryshme dhe mund të luajnë në një formacion.

“uk mund të thuash kurrë në futboll që nuk mund të ndodhë. Manaj dhe Broja janë 2 lojtarë që mund të luajnë në një formacion sepse kanë karakteristika të ndryshme. Manaj vjen për herë të parë me Sylvinho në Kombëtare, vjen dhe Hoxha për herë të parë. Muçolli është një lojtar që ne nuk e kemi testuar si duhet. Kemi thirrur edhe Ali Sherin duke qenë se Berisha ka pasur probleme shëndetësore. Manaj dhe Broja janë lojtarë shumë të rëndësishëm por janë të ndryshëm dhe mund të bashkëjetojnë në një formacion”.

Miqësorja Shqipëri – Kili do të nisë në 20:45 të së premtes në Parma dhe do të transmetohet nga Tv Klan.

/tvklan.al