Janë luajtur sot tre nga ndeshjet e javës së katërt të Superligës. Në Vlorë ka qenë ndeshja më interesante e ditës.

Fitorja ka shkuar me meritë për skuadrën vendase. Në minutën e 25 Mate Brajkoviç ka bërë gjithçka dhe ka shënuar në portën e Grimës.

Në pjesën e dytë trajneri i Vllaznisë, Agim Canaj, ka ndryshuar edhe strategjinë, por e pamundur për futbollistët e skuadrës së tij për të depërtuar mbrojtjen vlonjate.

Ndeshja është dominuar krejtësisht nga Flamurtari, madje duke humbur të gjitha rastet e krijuara pas golit. Minutat e fundit të takimit Flamurtari i ka luajtur me dhjetë lojtarë për ndëshkim me të kuq të Begaj.

Tirana ka bërë detyrën në Fier kundër Apolonisë duke fituar me dy gola. Brenda pesë minutave Tirana ka realizuar të dy golat e saj.

I pari në të 30-tin nga Andi Lila, i cili çon në rrjetë me kokë nga goditja e dënimit, ndërsa goli i dytë vjen në të 35-tin nga Migen Memelli, i cili nuk është shqetësuar nga mbrojtësit e Apolonisë. 

Ndërsa në Peqin në minutën e 67’ Erjon Rizvanolli ka shënuar golin e fitores për vendasit në ndeshjen kundër Besës. Raportohet se është ushtruar dhunë në pushim të ndeshjes nga përfaqësuesit e klubit peqinas ndaj futbollistëve dhe trajnerit të skuadrës së Besës, Ilir Daja.

Në pasditen e së dielës do të luhen tre ndeshjet e tjera të javës 4 të Superligës: Teuta-Partizani, Bylis-Lushnja dhe Dinamo-Elbasani./tvklan.al

Gazetar: Erion Todhe