Një 30-vjeçar shqiptar kishte marrë “porosinë e drogës” pranë kufirit Greqi-Shqipëri nga persona të tjerë dhe ishte nisur për ta transportuar drejt Janinës.
Shqiptari, i cili udhëtonte me një motor me kubik të madh, e mbante kanabisin në çantën e shpinës, dhe shoqërohej nga një makinë tjetër që kontrollonte rrugën përpara nëse kishte prezencë policore.
Por autoritetet greke kishin marrë informacion për trafikun e drogës dhe ngritën postblloqe.
Duke kryer manovra të rrezikshme, shqiptari me motor mundi t’i shmangej policisë në fshatin Kallpaq në aksin Kakavijë-Janinë. Gjatë ndjekjes me shpejtësi të lartë, 30-vjeçari humbi kontrollin e motorit dhe u përplas.
Por mediat greke shkruajnë se para përplasjes, shqiptari kishte mundur të hidhej nga motori dhe ishte larguar drejt një zone të pyllëzuar.
Aty qëndroi i fshehur për dy ditë, në një zonë pranë fshatit malor të quajtur Metsovos. Pas dy ditësh, ai u gjet nga policia dhe u arrestua. 30-vjeçarit iu sekuestruan 6.3 kilogramë kanabis sativa. /tvklan.al