Ngjan me panoramat e pasluftës apo mjegullën e shtatorit, por nuk është as më shumë e as më pak fusha e plehrave në Elbasan. Siç duket edhe nga pamjet asgjësimi i mbeturinave me anë të djegies ka krijuar në zonën përreth një re të madhe tymi të shtrirë në një hapësirë prej disa kilometrash.
“Asnjeri s’mand përgjegjësi fare. Shikoji shtëpiat si janë gjithë tym, gjithë të kromosur nga mushkëritë komplet, kalamjt, pleq e plaka komplet të gjithë”.
“Kjo fusha nuk mban mo të hedhësh plera më se është ngrejë shumë, duhet një fushë e re për të gjet një fushë tjetër se këtu nuk mban mo”.
Matjet e kryera nga Zyra Rajonale e mjedisit bëjnë fjalë për rritje me 5 herë të oksidit të karbonit dhe toksiciteti në ajër.
Beqir Kila: “Ky fenomen nuk është vetëm për qytetin e Elbasanit, po ky fenomen vjen edhe për qytetin e Prrenjasit dhe në disa qytete të tjera të qarkut të Elbasanit”.
Fusha e mbeturinave ndodhet brenda vijës së verdhë dhe lartësia e grumbujve ka arritur deri në 15 metër. Autoritetet vendore pohojnë se në kushtet aktuale përpunimi i mbeturinave mund të kryhet vetëm me djegie. Sipas tyre zgjidhje mbetet ndërtimi i një landfilldi të ri, projektet për të cilin janë ende në letër
Serafin Papa: “Kemi rreth 2 vite e ca që bëjmë përpjekje për të siguruar këtë vend pozitim që t’na japin ose në pronësi ose në përdorim. Por akoma nuk kemi gjetur zgjidhje dhe si rezultat i kësaj qyteti i Elbasanit vazhdon të ndotet nga dekompozimi i plehrave që gjendjen në vend depozitimin pranë varrezave të qytetit”.
Elbasani vijon të jetë një prej qyteteve me ndotjen më të madhe në vend shumë larg normave të vendosura nga Bashkimi Evropian./tvklan.al
Gazetari: Fatos Salliu