Kryeministri shqiptar Edi Rama u shpreh mjaft kritik në Samitin e liderëve botërorë të veprimit për klimën që po mbahet në Baku të Azerbajxhanit.

Ai la mënjanë fjalimin e përgatitur për këtë rast duke vënë theksin tek mungesa e vëmendjes, me të cilat këto lloj takimesh përballen. 

Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë: Njerëzit aty hanë, pinë, takohen dhe bëjnë foto së bashku. Ndërsa pamje fjalimesh pa zë nga udhëheqësit vazhdojnë të shfaqen papushim në sfond. Mua kjo më duket saktësisht ajo çfarë ndodh në botën reale çdo ditë. Jeta vazhdon me zakonet e saj të vjetra dhe fjalimet tona të mbushura përplot me fjalë të mira për të luftuar ndryshimin e klimës. Nuk ndryshojnë asgjë. Edhe më keq, ashtu siç Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara e theksoi, emetimet e karbonit faktikisht janë rritur gjatë këtij viti nga COP-i i mëparshëm deri tek ky aktual në vend që të ulen dhe objektivat ambicioze po shtyhen edhe një herë në një botë që gjithmonë e më shumë është e çoroditur e thellësisht e ndarë.

Duke vijuar sensin e ironisë, Rama solli edhe shembullin e Shqipërisë.

Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë: Vij këtu nga një vend i vogël në mes të Europës, Shqipëria, ku jemi krenarë që kemi prodhim 100 % me energji të ripërtëritshme. Por çfarë nënkupton kjo për të ardhmen e botës nëse ndotësit më të mëdhenj vazhdojnë punën e tyre si për herë? Larg qoftë t’i jap leksion ndonjërit, duke qenë se në fund të fundit jemi mësuarqë të na bëjnë leksione, jo t’u bëjmë ne të tjerëve, por ideja ime është çfarë dreqin po bëjmë në këto mbledhje njëra pas tjetrës, nëse nuk ka vullnet politik në horizont për të shkuar përtej fjalëve dhe për t’u bashkuar për veprime kuptimplota. Akoma më keq disa aktorë të mëdhenj dhe të vegjël edhe e bojkotuan këtë ngjarje vjetore.

Por pavarësisht kritikave, ai tha se shqiptarët shohin me optimizëm nga e ardhmja, për më tepër pas një të kaluare në izolim

Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë: Për një kohë të gjatë, ne shqiptarët jetuam nën mallkimin e një historie mizore që na la në izolim të plotë pa asnjë të drejtë, pa asnjë liri lëvizjeje, pa asnjë shpresë për të ardhmen. Ndërkohë që së fundmi jemi të bekuar me shoqërinë e BE dhe për herë të parë në histori liritë, ëndrrat dhe shpresat janë bërë pjesë e jetës sonë, por ajo çfarë po ndodh në Europë dhe në botë sot nuk lë shumë hapësirë për optimizëm dhe pse optimizmi është e vetmja mënyrë mbijetese që njohim ne shqiptarët.

Fjalën e tij e mbylli me një thënie të profetit Muhamed, i cili ka thënë se “Në qoftë se dita e gjykimit vjen, ndërkohë që njeri prej jush ka një fidan në dorë, nëse mundet ta mbjellë përpara se ajo të vijë, atëherë le ta mbjellë”.

Fjalimi i kryeministrit Rama pavarësisht se i shkurtër tërhoqi vëmendjen e agjencive ndërkombëtare të mediave. Agjencia e lajmeve Rojter dhe “The Guardian”.

Klan News