86,570 emigranëve u është pranuar kërkesa në Platformën Elektronike të Regjistrimit deri në mesditën e së martës për të votuar në zgjedhjet e 11 Majit nga rreth 140 mijë kërkesa të bëra.

Në një komunikim për mediat, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi bëri të ditur shifrat e personave të cilëve u është refuzuar aplikimi për shkak se kërkesat nuk ishin bërë sipas rregullave.

“240 796 është numri i kërkesave, që do të thotë që disa prej këtyre zgjedhësve kanë paraqitur më shumë se një kërkesë. Janë 86 570 zgjedhës të cilëve iu është miratuar kërkesa, ndërsa zgjedhës të cilëve iu është refuzuar kërkesa për të qenë në listën e zgjedhësve, numri i tyre është 25 401”, tha Ilirjan Celibashi.   

Për propozimin e Partisë Demokratike që në për zgjedhjet e 11 Majit të regjistrohen edhe shqiptarët që disponojnë vetëm dokumente të shtetit ku jetojnë, Celibashi tha se ky propozim nuk mund të realizohet.

“PER-i është ndërtuar për të identifikuar nëpërmjet dokumenteve identifikimi të lëshuar nga Republika e Shqipërisë. Nëse palët bien dakord që identifikimi mund të bëhet, do të duhet të bëhet edhe nëpërmjet dokumenteve të tjera, duhet të zhvillohet ky sistem ose të bëhet një sistem tjetër. Këtë nuk di ta them nga pikëpamja teknike”, tha Celibashi.  

Celibashi zbuloi dhe propozimet që KQZ i ka dërguar Kuvendit.

“Ne kemi paraqitur një propozim për ndryshim në disa elementë të Kodit Zgjedhor, ndryshime të cilat janë të karakterit teknik. Për ne e rëndësishme është që çfarë do të bëhet me atë dispozitë të Kodit Zgjedhor që ka të bëjë me kostot e pagimit të shërbimit postar. Dispozita që ka të bëjë me afatin e regjistrimit të subjekteve zgjedhore”, tha Ilirjan Celibashi.

Kryekomisioneri i bën thirrje Kuvendit që të miratojë buxhetin e partive për fushatën zgjedhore.

“I kemi kërkuar Kuvendit të Shqipërisë që sa më parë të miratojë buxhetin për partitë politike të cilat do të marrin pjesë në zgjedhje, pra buxhetin për fushatën zgjedhore”, tha Celibashi.  

Forcat politike i paralajëmroi se do të përballen me ligjin nëse gjatë kohës së regjistrimit të diasporës marrin të dhëna personale të qytetarëve dhe i përdorin ato për përfitime elektorale.

Klan News