Të gjithë numrat e llogarive të klientëve në të 16 bankat në vend do të ndryshojnë duke iu përshtatur një strukture standarde evropiane.
Këtë parashikon rregullorja e sapomiratuar nga Banka e Shqipërisë. Për klientët kjo do të thotë reduktim i vonesave, si edhe komisioneve që aplikohen në procesin e shlyerjeve të pagesave.
Mungesa e një strukture bazë të llogarisë bankare ka vështirësuar procesin e transaksioneve, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Numri i ri i llogarisë i quajtur IBAN do të jetë 23 deri 25 shifror dhe do të minimizojë gabimet gjatë transfertave të parave.
Robert Wright: “Për klientët është një mënyrë më e sigurt për të dërguar pagesat në vendet e Bashkimit Evropian. Rritja e eficencës besoj se do të ulë koston e transaksioneve, megjithatë është herët për të folur sa do të jetë kjo ulje pasi bankat në vend sapo kanë nisur të testojnë aftësinë për implementimin e këtij sistemi evropian”.
“IBAN” përdoret si një informacion bankar ndërkombëtar që në mënyrë unike identifikon llogarinë e klientit.
Aktualisht ky sistem përdoret në 44 vende të botës, kryesisht në vendet e Bashkimit Evropian, por edhe në rajon si në Kroaci, Maqedoni, Turqi, Serbi e të tjerë./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro