Në aeroportin e Prishtinës nuk ka kurrfarë shenjash kontrolli të autoriteteve shëndetësore për gripin e derrit.

Mbi 5 mijë është numri i njerëzve që hynë në Kosovë të shtunën, nëpërmjet kësaj pike kufitare.

Në shumicën e vendeve të rajonit, gripi i derrit ka mbërritur nëpërmjet personave që kanë jetuar jashtë ose qëndruar përkohësisht në botën e jashtme. 

Edhe dy nga tre rastet e raportuara një ditë më parë si të dyshuara në vendin tonë jetojnë në Zvicër.

Sidoqoftë, ata që erdhën për pushime në vendlindje thanë se nuk janë kontrolluar nga askush.

“Vij prej France. Kontrolle nuk kemi pas, asgjë, hiç”.

“Jo, s’ka pas kontrolle”.

Gazetarja: Asnjë kontroll?

“Asnjë lloj kontrolli”.

“Jo, kurrfarë kontrolli s’kemi pas.”

Zyrtarët e aeroportit thonë se ka katër javë që këtu nuk janë shfaqur inspektorët sanitarë.

Altin Ahmeti: “Iu është kërkuar që të rivijë ekipi prapë ku ka qenë. Ja siç po e shihni aty ka qenë vendi i mjekëve, nuk vijnë më”.

Duke parë se numri i rasteve të infektuar me virusin A H1N1, është duke u shtuar vazhdimisht, drejtori i aeroportit të Prishtinës, të premten i ka bërë një kërkesë Ministrit të Shëndetësisë Alush Gashi, që ta risjellin këtu një ekip mjekësor për kontrollim të qytetarëve.

Por, përgjigja e këtij të fundit, sipas zëdhënësit të aeroportit, ishte se nuk është e nevojshme prania e mjekëve në këtë vend.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë tha se nuk është në dijeni për këtë kërkesë./tvklan.al