Moderatorja e njohur Fatma Haxhialiu ishte e ftuar pasditen e kësaj të enjteje në studion e “Rudina” në Tv Klan. Pamja e hijshme dhe ëmbëlsia në fytyrë i dëshmonin nurin e shtatzënisë. Në muajin e nëntë, kur pret të bëhet për herë të dytë nënë e një djali, moderatorja ndau pak nga emocionet e saj gjatë këtyre 9 muajve.

Siç tregojnë dhe vetë postimet në faqet e saj në rrjetet sociale, duket se sikletet e shtatzënisë nuk e kanë penguar aspak moderatoren që të jetë aktive njësoj si më parë. Në studio ajo shprehet se ka shijuar çdo moment të kësaj periudhe, ku shton se nuk e ka kuptuar se si kanë kaluar muajt e se si ka fluturuar koha.

 “Ka qenë një periudhë shumë intensive në fakt. Edhe pse unë nuk kam qenë prezente në fushën e medias me një projekt konkret, kam pasur projekte të tjera përveç bërjes së një bebi. Ne jemi në procesin e një shtëpie të re, ndërkohë që kanë ndodhur ndryshime edhe në biznesin tim. Ka qenë një periudhë shumë e ngarkuar aq sa kur po bëja llogaritë dje, që bëra këto kontrollet rutinë, mora vesh që kisha hyrë në muajin e nëntë, thashë me vete “ku shkuan muajt”, ‘si iku koha’. E vetmja periudhë që unë e kam ndjerë më shumë le të themi ka qenë 3 mujori i parë. Pastaj që nga momenti që ka ardhur Shtatori dhe deri tani nuk e di se si kanë fluturuar ditët. Kam qenë shumë aktive dhe ndoshta kjo ka ndihmuar qoftë për ta marrë pak më lehtë këtë pjesën e shtatzënisë. Për të mos e pasur shumë mendjen le të themi edhe shqetësimet janë më se normale në këtë periudhë.”

Kjo është shtatzënia e dytë për Fatma Haxhialiun. Ajo tregon se mbështetja e familjarëve dhe partnerit të saj e ka ndihmuar shumë për të kaluar vështirësitë e shtatzënisë. Nga ana tjetër thotë se lindja e parë i ka dhënë një lloj eksperience për t’i shijuar më tepër momentet e bukura.

“Unë mendoj se edhe mosha ka ndikuar shumë. Fakti që jam më e rritur, më e pjekur dhe sigurisht që ke disa gjëra më shumë, disa stabilitete krahasuar me shtatzëninë e Kianit që isha akoma e pasigurt, qoftë në karrierë, qoftë në pozitën time financiare. Ne kishim nisur hapat e parë bashkë me partnerin, por ti nuk e di se ku je në jetë, kurse kësaj here kisha siguri më shumë. E kam marrë eksperiencën e të qenit nënë. Pastaj patjetër suporti i partnerit që ke në krah, njerëzit e afërt. Të gjitha këto bëjnë atë të tërën që ti të ndjehesh më mirë dhe më e sigurt. Ta përjetosh me shumë qetësi këtë periudhë fantastike.”/tvklan.al