Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji gjatë bisedës në Klan News foli edhe lidhur me drejtuesin politik të Partisë Socialiste për qarkun e Elbasanit. Salianji u shpreh se ka një përçarje të thellë sa i takon këtij qarku për shkak se Arbjan Mazniku nuk ka asnjë lidhje me Elbasanin dhe se sipas tij ai nuk ka pasur ndonjëherë efekt elektoral.

-Çfarë mendimi keni për Arbjan Maznikun që është drejtuesi politik për Partinë Socialiste në qarkun ku ju do të garoni?

Ervin Salianji: Besoj që ja ku është një rast tjetër ku nuk bëhet zhurmë, por që ka një përçarje të thellë në qarkun e Elbasanit për shkak të mospranimit. Ju e dini që pavarësisht problematikave që kanë pasur dhe që ne i kemi denoncuar fort për shkak të lidhjeve me krimin dhe korrupsionin ka pasur dy funksionarë të lartë të Partisë Socialiste, Gjiknuri dhe Balla. Tani për ta ka shkuar një personazh politik që nuk është provuar asnjëherë në zgjedhje dhe nuk ka asnjë lidhje me Elbasanin, s’ka pasur ndonjëherë efekt elektoral. Ka një përçarje masive në Partinë Sociliste në qarkun e Elbasanit për shkak të këtij emri dhe po tentohen tani që të çohen edhe emra të tjerë për të paqtuar gjakrat. Bëjnë vetëm mbledhje të mbyllura me pak njerëz, nuk i kemi parë akoma tek qytetarët.

-Po kjo është pozitive për ju, fakti që janë të përçarë…

Ervin Salianji: Përçarja padiskutim. Jo vetëm përçarja, por pakënaqësia në nivel kombëtar ndaj qeverisë është 70% dhe është detyra jonë që ta kthejmë atë në votë./tvklan.al