Nga viti në vit po rritet diagnostikimi i fëmijëve me probleme kardiake. Ditët e fundit një bebe vetëm 2.9 kg i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale në zemër. Shefi i Kardiokirurgjisë në QSUT, Altin Veshti thotë se bluzat e bardha po përballen me raste të rënda me defekte në zemër të ardhura edhe nga rrethet, si rasti i bebes vetëm 30 ditësh.
Patologjitë më të shprehura kardiake që kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale është ajo që njihet si ‘vrimë në zemër’. Sipas Veshtit, një rol të rëndësishëm në evidentimin e problemeve luajnë edhe mjekët gjinekologë që ndjekin nënat në shtatzëni.
Edhe pse janë ndërhyrjet më të vështira kardiake, deri më tani, në 98 % të rasteve, operacionet tek bebet kanë qenë të suksesshme, duke bërë që fëmija të rritet dhe të bëjë një jetë normale.
5-10 % e rasteve të rënda tek fëmijët, kardiokirurgu Altin Veshti thotë se dërgohen për mjekim falas në dy qendra në Itali. Falë bashkëpunimit të pavijonit të Kardiokirurgjisë në Shqipëri me atë Italian, ndërhyrja tek këta fëmijë, është falas.
Tv Klan