I ftuar në “Opinion” në Tv Klan, shefi i Kardiokirurgjisë në QSUNT, Altin Veshti foli për disa nga hipotezat kur një person pëson arrest kardiak, siç ndodhi edhe me ish-deputetin Gerti Bogdani.
Altin Veshti, shef i Kardiokirurgjisë në QSUNT: Duke diskutuar ekzistojmë katër hipoteza që një person mund të pësojë vdekje kardiake, pra për shkak të zemrës. I pari është infarkti i miokardit, pra infarkti është mbyllja e njërës prej arterieve të zemrës dhe ajo zonë që nuk merr gjak praktikisht e humb funksionin, e dyta është çarja e aortës , por çarja e aortës në këtë rast nuk të jep atë ndjesinë e marrjes së frymës, të jep një dhimbje të drejtpërdrejtë sikur të ngulet një thikë në gjoks. Rasti i tretë është tromboembolia pulmonare, pra që të mbushen mushkëritë me trombe, dy arterie e mëdha, dhe mbushja në mënyrë masive e bën të pamundur jetën e pacientit. I katërti është një aritmi që ndodh te futbollistët që nuk mendoj se është rasti i këtij, janë këta futbollistët që duke luajtur rrëzohen, aritmia e ventrikulit të djathtë.
Sipas specialistit infarktet e zemrës janë fatale, pavarësisht ndërhyrjes në kohë nga mjekët kardiologë.
Altin Veshti, shef i Kardiokirurgjisë në QSUNT: Kur ndodhin infarkte të tilla masive, na ka ndodhur shpesh që edhe në repart të jesh nuk kemi arritur t’i çojmë dot në sallë të operacionit, kaq e shpejtë është.
Vitet e fundit në Shqipëri problemet kardiake po ndeshen dhe në moshat e reja nënvizon shefi i Kardiokirugjisë në QSUNT, Altin Veshti.
Altin Veshti, shef i Kardiokirurgjisë në QSUNT: E kam parë duke u ulur mosha mesatare, pra qoftë se nëItalia dhe Amerika u operonin 75-80 vjeçarët, unë vetëm në muajin Shtator kam operuar dy 46-vjeçarë. Kanë pasur dhimbje kanë shkuar në spital, njëri nga Shkodra, është diagnostikuar në kohë ka ardhur dhe nuk e kemi lënë të pësojë infarkt, unë i kam bërë operacionin. Pra vetëm kjo është një statistikë.
Aktiviteti fizik, kontrollet periodike dhe një dietë e pasur, sipas Veshtit janë shumë të rëndësishme për personat që janë të rrezikuar nga problemet kardiake.
Klan News