Agjencia e censurimit të materialeve që bëhen publike në Rusi, Roskomnadzor, ka kërkuar që shërbimet e transmetimit të kufizojnë aksesin e artistit të quajtur Ap$ent pasi një nga këngët e tij u bë virale në të gjithë Evropën Lindore.

Përdoruesit e TikTok nga vende si Bjellorusia, Rusia, Ukraina dhe Kazakistani kanë miratuar muajt e fundit këngën e tij të vitit 2022 “Can I come with you?”, (“A mund të vij me ju?”) pasi përdoret në shumë video virale për kauzën e shpëtimit të kafshëve endacake.

Ndërkohë, agjencia censuruese ruse vendosi ndalimin e muzikës së tij me pretendimin për të parandaluar destabilizimin e shoqërisë ruse. Ap$ent, i cili është me origjinë nga Bjellorusia, dyshon se ndoshta është vënë në shënjestër për shkak të një kënge të mëparshme që ai ka shkruar me një temë kundër luftës.

Ap$ent e shkroi këngën “Can I come with you?” kur po largohej nga Bjellorusia me gruan e tij, Maryia. Ata vendosën që të iknin nga vendi i tyre pasi gruaja e tij u dënua për fyerje të liderit, Aleksandër Lukashenko. Ajo kishte përdorur një fjalë nënçmuese në mediat sociale dhe autoritetet bjelloruse supozuan se ajo kishte për qëllim fyerjen e Lukashenkos.

Edhe pse kënga kishte të bënte me përvojën e çiftit të largimit, Ap$ent thotë se tekstin e këngës në disa rreshta e kanë frymëzuar kafshët.

“A mund të vij me ju?” u frymëzua nga macja ime, Tishka, pasi dukej se e ndjente që ne do të largoheshim së shpejti. Një ditë, Tishka erdhi tek unë dhe më dha një përqafim që nuk dukej të ishte sjellja e tij e zakonshme”, tregon ai. Artisti beson se autoritetet ruse morën ankesa nga përdoruesit e internetit.

“Unë u akuzova se i quajta të gjithë rusët fashistë. Kjo është e pavërtetë. Unë kurrë nuk do ta përgjithësoja kështu,” tha ai për BBC Russian. Por Ap$ent mendon se ndalimi i këngës, e bëri atë edhe më të famshëm.

“Njerëzit që nuk i besojnë censurës ruse të internetit, u interesuan. Ata menduan se unë duhet të jem një person i denjë, nëse Roskomnadzor do të më bllokonte”.

Ap$ent dhe gruaja e tij Maryia tani jetojnë në Poloni. Pavarësisht suksesit të tij të fundit viral, Ap$ent nuk e sheh veten si një kompozitor politik: Unë shkruaj thjesht nga një pozicion i popullit të zakonshëm dhe shtoj pak satirë.

Macja e tij, Tishka është ende në Bjellorusi, por këngëtari shpreson ta sjellë atë në Poloni dhe po ashtu po planifikon të hapë një organizatës bamirësie për shpëtimin e kafshëve./tvklan.al