Balluku: Aksi që lidhet me zonën e Farkës të përfundojë brenda vitit
Segmenti i Unazës së Jashtme të kryeqytetit, që lidh zonën e Shkozës dhe Dajtit me pjesën e Maternitetit të Ri, do të hapet plotësisht për qarkullimin e mjeteve muajin e ardhshëm.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se punimet në këtë aks janë drejt fundit, ndërsa kërkoi që kompania të dorëzojë tërësisht veprën brenda vitit, pavarësisht problematikave të rrëshqitjeve dhe shpronësimeve që janë hasur gjatë punimeve.
Pjesa e rrugës që njihet si Loti 2, e cila lidh Shkozën me Unazën e Madhe në Farkë, ka afat për përfundimin e punimeve Prillin e vitit të ardhshëm, por kompania premtoi se rruga do të mbarojë brenda vitit.
“Çdo kantier që vonohet krijon vonesa në kantieret e tjera, kështu që ne jemi të interesuar që kantieret të përfundojnë dhe të dorëzohen njëra pas tjetrës për t’i dhënë Tiranës Unazën e saj të jashtme që i mungon prej vitesh, për të shfryrë gjithë trafikun”, u shpreh ministrja Balluku.
Pas zgjidhjes së problemeve me shpronësimet në këtë zonë, punimet janë duke ecur me ritme të shpejta.
“Të gjithë banorët e Shkozës dhe ata që banojnë në Dajt do t’a aksesojnë Unazën e Vjetër përmes këtij segmenti. Më pas, deri në fund të vitit, ne lidhemi me pjesën e Lotit 2”, tha drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho.
Përfundimi i aksit verilindor të Unazës së Madhe plotëson lidhjen e pjesës së ndërtuar të këtij segmenti me zonën e Farkës, rrethrrotullimin e TEG, zonën e Astirit dhe rrethrrotullimin Shqiponja.
Tv Klan