Këtë javë qeveria do të nisë rishikimin ekonomik të kontratës që ka me koncesionarin e Aeroportit të Rinasit. Mësohet se Agjencia e Prokurimit Publik ka përzgjedhur kompaninë BDO Albania për të nisur kontrollin e fitimeve që Aeroporti i Tiranës ka realizuar gjatë 14 viteve që operon në Shqipëri.
Konsulenti BDO, do të krahasojë fitimet e kompanisë që ka në operimin e aeroportit, me skenarin bazë të fitimeve që ka patur në kontratën e firmosur me qeverinë shqiptare si dhe do të analizojë çmimet që aplikon koncesionari ndaj palëve të tjera.
Analiza do të përfshijë edhe krahasimin e tarifave të Aeroportit të Tiranës me aeroportet e rajonit, për të parë nëse reflekton një nivel të drejtë të tyre.
Kjo e drejtë i lind shtetit shqiptar në bazë të nenit 19.4 të kontratës me koncesionarin, i cili sanksionon se në bazë të rezultateve të ekspertit, palët do të amendojnë kontratën për të rikthyer ekuilibrin ekonomik të koncesionit në përputhje me praktikën më të mirë të kësaj industrie.
Koncesionari i Aeroportit të Rinasit e ka shlyer të gjithë investimin që ka bërë në pistën e aeroportit, infrastrukturën ajrore dhe rrugët ndihmëse që në 4 vitet e para të punës. Pas 2008-s çdo para që ka fituar ka shkuar në arkën personale të aksionerëve të tij. Sipas llogaritjeve të bëra nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, rezulton se prej 2005-s e deri më sot, ky koncesion ka realizuar 130 milion dollarë fitime neto, ku nëse i zbritet investimi fillestar dhe taksat që ka derdhur në buxhet, në xhepat e koncesionarit janë derdhur 75.6 milion Dollarë.
Norma e fitimit vetëm gjatë vitit të fundit arriti në 38%, duke e bërë një nga kompanitë me normën më të lartë të fitimit në vend.
Aeroporti i Rinasit arrin t’i nxjerrë këto fitime nga tarifat që u vendos linjave të fluturimit, tarifa 2 deri në 3 herë më të larta se në të gjithë rajonin, fakt ky i pranuar edhe nga Autoriteti i Konkurrencës.
Tv Klan