Prokuroria e Posaçme kërkoi nga Gjykata që të shpallë fajtor Talo Çelën dhe ta dënojë atë me 19 vite burg, si një nga 10 personat që kreu grabitjen e 4.5 milionë eurove në aeroportin e Rinasit në 2019-ën.
Prej vitesh një nga të shumëkërkuarit e drejtësisë, Talo Çela po gjykohet në mungesë në këtë proces, teksa është nën hetim për pjesëmarrje dhe organizime të disa atentateve në Elbasan e Durrës.
Implikimi i tij në grabitjen e Rinasit, u konfirmua sipas SPAK edhe nga disa komunikime të gjetura në aplikacionin Sky, ku Talo shqetësohej në atë kohë për dëshminë e bashkautorit të tij Alkond Bengasi, që bashkëpunoi fillimisht me drejtësinë duke zbardhur ngjarjen.
Në 2023, për grabitjen e 9 Prillit 2019, Gjykata e Posaçme dënoi me 122 vite burg në total bashkëpunëtorët e Çelës.
Dënimin më të lartë e mori Klement Çala, me 20 vite, ndërsa gjashtë të tjerët Oltion Veseli, Renaldo Sulaj, Saimir Cela, Oltion Pikli, Alkon Bengasi dhe Eldi Çala me 17 vite burg.
Pjesë e grabitjes u vërtetua të ishte edhe Admir Tafilaj që mbeti i vrarë gjatë arratisjes, si dhe Ragip Hajdini, ky i fundit humbi jetën në spitalin e burgut nga një sëmundje.
Tv Klan