Dalin emrat e parë të aleancës së PD me “5 Yjet”
Pas vendimit të Presidentit italian për t’i dhënë një mundësi krijimit të një koalicioni të ri qeveritar, Lëvizja 5 Yjet që ka shumicën në Parlament do të nisë bisedimet me demokratët e qendrës së majtë.
Në mediat italiane kanë nisur të qarkullojnë edhe emrat e parë si pjesëtarë të një qeverie të mundshme të koalicionit mes 5 Yjeve dhe PD-së. Surpriza kryesore është lideri i 5 Yjeve, Luigi di Maio në krye të Ministrisë së Brendshme, post të cilin në qeverinë e kaluar e mbante aleati i tij i Lega Nord, Matteo Salvini. Marrja e këtij posti nga Di Maio mund të sjellë kthesën e fortë në politikat për migracionin, duke zbutur politikat e ashpra kundër refugjatëve të Salvinit, arsyeja kryesore e rënies së qeverisë së Giuseppe Conte.
Në postin e ministrit të Jashtëm mund të rikthehet demokrati Paolo Gentiloni, ndër mbështetësit më të mëdhenj të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai ka qenë nismëtar i takimeve tre-paleshë Itali-Shqipëri-Serbi për të nxitur përparimin e njëtrajtshëm drejt BE-së.
Në postin e Kryeministrit përflitet eksperti i ekonomisë Enrico Giovannini, ish-ministër i Punës në vitet 2013-2014. ‘5 Yjet’ ka ndër kushtet kryesore reduktimin e numrit të deputetëve për të ulur shpenzimet e tepërta buxhetore, ndërsa demokratët kërkojnë që qeveria e re të rikthejë orientimin drejt Bashkimit Europian.
Tv Klan