Sot në emisionin e “Rudina” në Tv Klan u diskutua lidhur me ngjarjen tragjike të Shkodrës, ku Alma Arrazi u hodh në lumin Buna bashkë me 3 fëmijët e saj të vegjël. Një rast aq sa i rallë edhe tronditës!


Sociologu Gëzim Tushe nënvizoi faktin se nëna e re ka kryer një krim duke iu marrë jetën të vegjëlve të saj. Sipas tij, pavarësisht situatës ku ajo është gjendur, është veprim ekstrem dhe i pajustifikueshëm.

“Duhet bërë një diagnozë shumë e kujdesshme dhe e veçantë, por besoj që dy janë rrethanat sipas gjykimit tim. Së pari janë rrethanat e brendshme që lidhen me personalitetin e zonjës, kam parimin që viktimat nuk gjykohen pas vdekjes, por ama nuk na hiqet e drejta të themi që qoftë dhe për motive egoiste, se janë disa forma…Sidoqoftë edhe nëse është bërë për këto probleme të brendshme apo për shkak të problemeve të saj me stabilitetin mendor, nuk justifikohet veprimi. Absolutisht nuk justifikohet. Duhet ta studiojmë precedentin që t’u themi grave të tjera se duhet të jenë shumë më të kujdesshme, se e para njëherë nuk ke të drejtë t’i marrësh jetën vetes. E dyta, s’ke të drejtë të bësh krim! Se këtu kemi nga njëra anë vetëvrasjen, kemi dhe krimin. Sepse fëmijët janë hedhur prej saj. Sigurisht që jeta është private dhe njeriu mund të bëjë me të ç’të dojë, por edhe nga pikëpamja fetare apo humane, nuk ke të drejtë t’i marrësh jetën vetes dhe aq më pak fëmijëve.”

Së dyti ai preku rrethanat sociale që e kanë rënduar gjendjen mendore të Arrazit.

“Unë e kuptoj që situata e saj ka qenë e vështirë. Dëshpërimi , ankthi dhe forma të tjera psikotike janë mjete që nëse nuk i menaxhon siç duhe, nuk i kuron, ato të çojnë drejt vdekjes. Vetëvrasja është veprim i fshehtë, i befasishëm.”

Pas analizës së sociologut, edhe drejtuesja e emisionit Rudina Magjistari shprehu qëndrimin e saj. Ajo theksoi se 39 vjeçarja është një “nënë vrasëse” dhe ajo çfarë ka bërë nuk mund të shihet si një “sakrificë” pas “tradhtisë bashkëshortore”.

Çfarë shikoj dhe lexoj, edhe mënyra si është trajtuar…Tani po kalojmë në një ekstrem tjetër. Ajo nënë së pari ka bërë një krim. Ka vrarë, është nënë vrasëse! Pavarësisht se ka pasur një dhimbje shumë të madhe në shpirtin e saj, këtë e kuptojmë…Por ka bërë një krim. Duhet të jemi korrekt kur gjykojmë dhe mbajmë qëndrime. Në pjesën më të madhe të komenteve, qasja është burri që tradhtoi nënën me 3 fëmijë, dhe nëna e fëmijët që u vetësakrifikuan. Po për ça u vetësakrifikuan?! Nuk duhet të trajtohet si sakrificë kjo! Nuk ke të drejtë ti t’u marrësh jetën fëmijëve të tu, se nuk janë pronë e jotja”, u shpreh Magjistari./tvklan.al