11 muaj më parë, në zonën e Paskuqanit mbeti e vrarë Enkeleda Çapoku e cila u dhunua për vdekje nga kunati i saj pas problemeve familjare.
Vajza 18-vjeçare e të ndjerës ka mbetur e vetme, pasi babain e ka në burg ku vuan dënimin për një vepër penale. Ajo jeton me gjyshen në kushte të vështira ekonomike.
Në një intervistë për emisionin Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus, vajza e Enkeleda Çapokut kërkon që autoritetet kompente ta asistojnë me ndihmë ekonomike ose ta ndihmojnë për të gjetur punë.
Gjatë intervistës ajo tregon se për 1 muaj kishte marrë ndihmë ekonomike nga Bashkia e Kamzës vetëm 9 mijë Lekë të vjetra në muaj. Një shumë monetare, shprehet ajo, që nuk i mjafton për asgjë.
“Unë nuk kam ku të fle, të ha dhe të pi. Nuk kam marrë asnjë ndihmë ekonomike nga qeveria. Një muaj më dhanë asistencë dhe muajin e dytë nuk ma dhanë më, ma ndërprenë. Më pas thanë që babi jot ka pasur një furgon më përpara dhe është shitur para 8 vitesh. Dhe Bashkia më thotë që është pronë e babait tënd dhe që nuk përfiton më shumë se 9 mijë Lekë të vjetra. Unë shkova tek targat, mora fletën që furgoni është shitur por nuk është çregjistruar akoma pasi babai im është në burg. Për këtë arsye del emri i babait tim në sistem që ka furgonin dhe për këtë arsye mua ma ndaluan ndihmën ekonomike. Më thanë që nuk e përfiton më shumë se 9 mijë Lekë të vjetra. Me 9 mijë Lekë të vjetra nuk më dalin as për nevojat e mia personale”, thotë ndër të tjera vajza e Enkeleda Çapokut. /tvklan.al