Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Arrihet sot nënshkrimi i memorandumit historik mes katër partive të opozitës, PD, PR, PBL dhe PBK. Ky është edhe koalicioni parazgjedhor, i cili do ta çojë opozitën në fitore. Sipas sekretarit të përgjithshëm të PD, Ridvan Bode, nisur nga realiteti, ku mohohet e drejta e pronës dhe votës, ku krimi dhe trafiqet gjejnë gjurmë kudo, nënshkrimi i këtij memorandumi është i vetmi që do të nxjerrë vendin nga kriza.
Ridvan Bode:- “Gjetjen e një formule të përbashkët, për konkurrim elektoral, si një koalicion unik, si grupime partish brenda koalicionit, apo edhe si subjekte më vete, ku të ruhet identiteti politik i çdo partie. Formulimin e një platforme të përbashkët elektorale dhe të një programi bazë për qeverisjen e ardhshme”.
Ndërsa për krerët e partive nënshkruese, memorandumi cilësohet.
Fatmir Mediu, Kryetar i PR:- “Këtij vendi që Zoti i ka dhuruar që të gjitha, ka njerëz, ka përgjegjësi, ka mundësi për t’u integruar në mënyrë të përbashkët, për të ndërtuar atë çka e kemi ëndërruar në vitet 90”.
Shpëtim Rroqi, Kryetar i PBK:- “Kjo është e vetmja rrugë për të arritur një fitore dhe për ta bërë këtë vend të banueshëm për qytetarë europian”.
Teodor Laço, Kryetar i PBL:- “Duke filluar një marrëveshje dhe një mirëkuptim të ri, po i hapim një dritare të gjerë Shqipërisë, drejt së ardhmes dhe integrimit europian”.
Për Berishën, ky është memorandumi i koalicionit të fitores. Bashkimi i forcave të opozitës, shënon një epokë të re, drejt zhvillimit dhe prosperitetit.
Sali Berisha, Kryetar i PD:- “Nënshkruam vendosmërinë tonë, për t’i dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, qeverisjen më eficente që kanë pasur në historinë e tyre, për t’i dhënë parlamentin më dinjitoz. Gjithashtu janë të mirëpritur zoti Melo dhe përfaqësuesit e Aleancës Demokratike”./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti