Lajme Arkiva 2003

Në tryezën e partive politike të thirrur nga Presidenti i Republikës përveç të tjerash u zhvillua edhe një debat i nxehtë midis presidentit të partisë Aleanca Demokratike Neritan Ceka dhe ambasadorit të OSBE-së në Tiranë zotit Osmo Lipponen. Sot zoti Ceka ka treguar për Tv Klan rreth këtij debati.

Neritan Ceka: Opinioni im dhe jo vetëm i im është që dy partitë politike me bekimin e OSBE-së, e cila është një organizëm që është për të tjera gjëra, nuk është për të futur duart në legjislacionin shqiptar, kanë bërë kodin më të keq zgjedhor të mundshëm që nga koha e komunizmit dhe vazhdojnë. Unë nuk e di ç’kërkonte zoti Lipponen atë ditë në mbledhjen e partive politike. Pse ishte atje, pse duhet që ky njeri të futet gjithandej ku nuk i takon. Së dyti unë propozoj që në të ardhmen legjislacioni shqiptar të bëhet nga specialistë shqiptarë me modele evropiane, me mbikëqyrje evropiane, por jo  me futjen e duarve të specialistëve të huaj që vijnë për të marrë para, për të krijuar idenë se Shqipëria vazhdon në kaos dhe se vetëm ata do ta shpëtojnë Shqipërinë për të justifikuar rrogat e tyre të larta.

Ndërkaq debatin rreth zgjedhjes së anëtares së 7 të KQZ zoti Ceka e cilëson një konflikt absurd.

Neritan Ceka: Rrjedh nga një shkelje e kushtetutës të cilën presidenti nuk duhet ta kishte lejuar që në momentin që në kodin e ri zgjedhor u përcaktua që anëtari që vjen nga KLD-ja duhet të dali nga propozimet e dy partive kryesore politike, gjë që është absolutisht anti kushtetuese, presupozon që drejtësia nuk është e pavarur dhe presupozon që gjykatësit janë të varur nga partitë politike. Nuk e kuptoj se çfarë duan qoftë partitë politike të cilat vetë e kanë bërë ligjin, qoftë edhe presidenti i republikës që kërcënon me dorëheqje në qoftë se nuk kthehet përsëri kandidatura në KLD./tvklan.al