Fshehtësia e votës, shitblerja e saj, presioni ndaj zgjedhësve, si dhe votimet në grup janë listuar ndër rekomandimet prioritare që OSBE-ODIHR-i la Shqipërisë për t’i adresuar në raportin final të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021.

E njëjta problematikë u ngrit nga Ambasadori në Tiranë i këtij misioni gjatë konferencës së organizuar nga KQZ-ja, duke e vënë theksin tek marrja e masave, me qëllim integritetin e zgjedhjeve të 11 Majit.

“Përvojat e fundit dhe raportet e OSBE/ODIHR-it kanë treguar se ruajtja e fshehtësisë së votimit në Shqipëri has sfida. Këto raporte venë në dukje se proceset ndikohen negativisht nga problemet teknike dhe procedurale sa i përket votimeve në grup, tensionet, presionet ndaj zgjedhësve brenda dhe jashtë Qendrave të Votimit. kjo fshehtësi demtohet edhe më shumë nga shitblerja e votës dhe votimi i shumëfishtë. Presioni i dekurajon zgjedhësit të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar lirisht dhe pa frikë.”

5 muaj përpara zgjedhjeve me të njëjtin shqetësim flet dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.

“Duhet të fillojmë nga kjo që kemi probleme që t’i adresojmë. Nuk është sfidë shumë e lehtë kur palet janë shumë të ndara në lidhje me këtë çështje.”

Ndërkohë, ekspertët e pavarur të çështjeve zgjedhore kërkuan ndaljen e fenomenit të shitblerjes së votës jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë, pasi në 11 Maj për herë të parë vullnetin e tyre do ta shprehin me votë edhe emigrantët.

Tv Klan