Pas grumbullimit para kryeministrisë, protestuesit do të shpërndahen në zona të ndryshme me qëllim bllokimin e rrugëve kryesore të kryeqytetit.
Edhe pse demokratët tregohen të rezervuar për skenarin e tyre, Klan News ka mësuar se objektiv i protestuesve pritet të jetë edhe Bashkia e Tiranës, ku prej muajsh demokratët protestojnë para godinës.
Pikënisja kryesore e protestuesve do të jetë nga selia blu për të marshuar më pas drejt kryeministrisë, ndërsa pjesa tjetër do t’i bashkohet tubimit nga pika të tjera sipas organizimit që është bërë nga strukturat e PD në rrethe.
Prej më shumë se një javë strukturat e PD, krahas përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme, kanë mobilizuar demokratët dhe për protestën e Kombëtare të së hënës, e cila do të jetë edhe forë e mosbindjes civile. Demokratët në këtë protestë kërkojnë që t’i bëjnë presion mazhorancës për ngritjen e një qeverie teknike para zgjedhjeve të vitit 2025 si dhe respektimin e Kushtetutës së vendit që sipas demokratëve është shkelur nga mazhoranca për mandatin e deputetes Olta Xhaçka.
Drejtuesit e PD, theksojnë se pa një qeveri teknike nuk mund të ketë zgjedhje të sigurta, duke paralajmëruar manipulimin e procesit zgjedhor rreth tetë muaj para se të ndodhë. Edhe pse kishte disa muaj që brenda PD kishte zëra për mbajtjen e protestave kombëtare anti-qeveritare, aksioni i opozitës mori formë konkrete pas dënimit me burg të Ervin Salinjit. Ky aksion filloi në Kuvend, me djegien e karrigeve të opozitës dhe do të vijojë në terren. Por, ndërsa për aksionin në Kuvend theksojnë se do të jetë i vazhdueshëm, për frontin tjetër në terren, PD ende nuk është e qartë se si do të vijojë pas protestës të së hënës.
Klan News