Nesër pritet që të miratohen në Kuvend ndryshimet në Kodin Zgjedhor, për të cilin opozita e mazhoranca kanë përgatitur draftet përkatëse. Sipas kreut të grupit të PD Gazment Bardhi, PS kërkon sërish lista të mbyllura, propozim i cili bie ndesh me vullnetin e opozitës.


“Propozimi i PS vijon të mbajë të njëjtën situatë, që listat janë 100% të mbyllura. Kanë ndryshuar vetëm herësin, në 7 mijë vota. Nga kjo formulë e propozuar prej tyre, 90 e ca përqind e listës vijon të jetë e mbyllur. Ne duam të hapim në maksimum listat e kandidatëve për deputetë. Duhet një shumicë e cilësuar në Kuvend.”

Më tej, ai theksoi se PD i ka ndarë ndryshimet në Kod në dy faza.

“Ne i kemi ndarë në dy faza ndryshimet, reforma e mirëfilltë zgjedhore gjë për të cilën Edi Rama ka vënë bllok. Reformë, që do duhet të përfshijë jo vetëm problematikat në dy palë zgjedhje, por edhe zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.

Ka tre vendime të GJK që kanë krijuar boshllëk në Kodin Zgjedhor. Së pari, vota jashtë territorit të vendit. Dy çështje të tjera që kanë të bëjnë me shpërndarjen e mandateve. Ne kemi shprehur gatishmëri të plotë të ndërmarrim iniciativën për të plotësuar boshllëkun që kanë krijuar vendimet. Po punohet. Shpresoj të ketë konsensus, gjithëpërfshirje dhe zbatim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, përfundoi Bardhi.

/tvklan.al