Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë ditën e sotme një intervistë në emisionin “Opinion” në Tv Klan. Kryeministri parlajmëron se kjo intervistë do të jetë ndryshe nga herët e tjera.

“Duke ju uruar një ditë sa më të paqme në vigjiljen e natës së bekuar të Krishtlindjeve, ju ftoj të ndiqni sonte në mbrëmje intervistën time të parë paqësore me Blendi Fevziun qysh nga shekulli i kaluar”, shkruan Rama në një postim në Facebook.

Në një rrëfim ndryshe, realizuar në ambientet e Kryeministrisë, Rama do të jetë përballë gazetarit Blendi Fevziu, tashmë jo vetëm në aspektin politik, por edhe në atë njerëzor.

Që nga jeta në Paris, tek angazhimi i tij i parë në politikë, raportet me të atin dhe drejtimi i Bashkisë së Tiranës. Çfarë ndodhi më tej në Partinë Socialiste? Marrëdhëniet me Fatos Nanon, raportet me Ilir Metën, synimi për një mandat të tretë dhe raporti me Bashën.

Rama vjen në një intervistë të plotë, ku pranon të flasë edhe për marrëdhënien me gratë që hynë në jetën e tij. Kjo intervistë, është e dyta pas asaj me ish-Kryeministrin Berisha e një cikli intervistash që emisioni “Opinion” ka nisur pak javë më parë.

“Rrëfimi i rrallë”, do të sjellë në vijim personazhe të tjerë që kanë dominuar jetën politike në 30 vitet e fundit, duke vijuar me Fatos Nanon, Ilir Metën, Genc Rulin, Neritan Cekën etj./tvklan.al