Ngrihet parku i parë teknologjik në Shqipëri. Ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhe nënshkroi marrëveshjen me Korporatën e Investimeve për angazhimin e ndërsjelltë për administrimin, menaxhimin, funksionimin dhe monitorimin e “Durana Tech Park” të pozicionuar në Xhafzotaj në një hapësirë prej 14 ha. Synimi kryesor është kthimi i zonës ekonomike Tiranë-Durrës në një pol rajonal zhvillimi.
Blendi Gonxhe: Parku teknologjik “Durana” ofron një kombinim unik mes zhvillimit ekonomik, inovacionit dhe kërkimit shkencor, duke u shndërruar shumë shpejt në një ekosistem të jashtëzakonshëm që do të bëjë bashkë ndërmarrjet e konsoliduara shqiptare dhe të huaja, start up inovative, institucionet akademike, qendrat e kërkimit shkencor, nomadët digjitalë. Qëllimi është që zona Tiranë-Durrës që është motori ekonomik i shoqërisë, të shndërrohet shumë shpejt në një pol të rëndësishem tashmë jo vetëm shqiptar, por rajonal edhe për krijimin e teknologjive të reja dhe zgjidhjen inovative për biznesin, shtetin dhe shoqërinë.
Ky park teknologjik, tha Gonxhe, do shërbejë për rimodelimin e ekonomisë në shërbim të integrimit europian. E për këtë, si shembull mori çështjen sociale më të debatuar në politikë, pagesën për pensionistët duke theksuar se ky projekt në shërbim të së ardhmes do ndikojë tek rritja e pensioneve dhe pagave Ky park pritet të prodhojë 5500 vende pune.
Elira Kokona: Pritet të gjenerojë 5500 vende pune, rritjen e eksporteve dhe të ardhurave 3.5 mld Euro në 20 vitet e ardhshme, në një hapësirë prej 21 mijë metra katrorë.
Deri tani, 50 kompani të huaja kanë zgjedhur të operojnë në “Durana Tech Park”.
Tv Klan