Të dërguarit nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Qarkullimit Rrugor Tiranë kanë skanuar çdo automjet që ka lëvizur në qytetin e Fierit në fundjavë.

Postblloku u vendos në rotondon kryesore që lidh Fierin, Tiranën dhe Gjirokastrën. Uniformat blu të drejtuara nga Shkëlqim Nezaj, specialist në drejtorinë e përgjithshme të qarkullimit rrugor, kanë filtruar çdo automjet dhe evidentimin e shkeljeve të kodit rrugor.

Nezaj u shpreh se aksioni do të zhvendoset në të gjitha qytetet tashme që piku i lëvizjeve është në maksimum, ndërkohë bëri me dije se task force e ngritur në bazë të një urdhri të kryeministrit do të sanksionojë çdo shkelës.

Shkëlqim Nezaj: “Qëllimi i tyre është që të goditet mospërdorimi i rripit të sigurimit, kaskave mbrojtëse, dritave jo vezulluese, shpejtësia, parakalime të gabuara dhe përdorimi i pijeve alkoolike. Do të ndëshkojmë me masën e ligjit pa përjashtim të gjitha targat, si të huaja ashtu edhe të vendit. Iu bëj thirrje të gjithë drejtuesve të rrugës që të zbatojnë me korrektësi rregullat e qarkullimit rrugor sepse shpëtojnë jetën e tyre dhe të atyre që lëvizin”.

Grupi i ngritur për parandalimin e aksidenteve dhe respektimin e normave për lëvizje të automjeteve do të veprojnë në të gjitha akset ose pikat e zeza ku dhe janë shënuar numri më i madh i aksidenteve rrugore./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani