Bino: 12-17 vjeçarët do të marrin dy doza Pfizer, me miratimin e prindërve
Prej 1 Nëntorit në vendin tonë nis aplikimi I dozës së tretë të vaksinës anti-covid ku prioritet do të kenë grupomoshat mbi 60 vjeç dhe ata me sëmundje bashkëshoqëruese. Po ashtu për herë të parë nis vaksinimi i grupmoshës 12-17 vjeç.
Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP tregon se si do të bëhet procesi tek fëmijët, ku prioritet në këtë fazë të parë kanë ata me sëmundje kronike apo sëmundje të rënda dhe vaksina do jetë Pfizer.
“Vaksinimi I fëmijëve 12-15 vjeç do të ndodhë për ata fëmijë që kanë sëmundje bashkëshoqëruese si astma e pakontrolluar mirë, leukoza, kancere të fëmijëve fatkeqësisht, sëmundje kronike të veshkave, sëmundje kronike të mëlçisë, sëmundje kronike të zemrës. Po ashtu edhe për fëmijët 16-17 vjeç të parët do të vaksinohen fëmiëjt që kanë sëmundje bashkëshoqëruese. Vaksina e cila është planifikuar për fëmijët është vaksina Pfizer”.
Bino thekson se tek kjo grupmoshë do të aplikohet më tepër se një dozë Pfizer.
“Aplikimi është dy doza dhe më tej ndoshta do të jetë edhe doza e tretë sipas kalendarit të vaksinimit. Do të kryhet me miratimin e prindërve”.
Doza e tretë anticovid për personat mbi 60 vjeç dhe kategoritë e riskut duhet ta bëjnë vaksinën pas 6 muajsh nga doza e dytë, ndërsa ata që kanë një imunitet më të dobët duhet ta kryejnë pas 4-6 javësh.
“Çdo person I cili ka kryer vaksinimin 6 muaj më përpara, pas 6 muajsh do të bëjnë dozën e tretë. Për personat të cilët kanë frenim të imunitetit, pra kanë një lloj dëmtimi të imunitetit, do të jetepet edhe një dozë e tretë që ne e quajmë ‘parësore’, pra jo pas 6 muajsh, por pas 4-8 javëve”.
Ajo flet edhe për kombinimin e vaksinave, duke theksuar se Sputnik përjashtohet nga një hap i tillë.
“Personat mbi 60 vjeç mund të kryejnë fare mirë vaksinë dozën e tretë me CoronaVac. Në qoftë se vaksina nuk do të jetë e disponueshme, mund ta kryejnë edhe me një vaksinë tjetër. Në qoftë se do të kenë pasur ndonjë problem shëndetësor, mund ta kruejnë me një vaksinë tjetër, por fare mirë doza e tretë mund të kryhet me CoronaVac, ashtu siç rekomandon edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë. Ata që kanë bërë AstraZeneca mund të vazhdojnë me të, pro nëse kanë pasur efekte anësore, mund të bëjnë Pfizer ose CoronaVac, por jo vaksinën ruse. Ata që janë vaksinuar me Pfizer mund të vaksinohen me çdo vaksinë tjetër”.
Komiteti Teknik i Ekspertëve më 22 Tetor rekomandoi aplikimin e dozës së tretë anti-covid dhe vaksinimin e fëmijëve, praktikë që po ndiqet tashmë edhe nga shumë vende të tjera të botës.
Klan News