Vjero: Përfitimet llogariten nga momenti i mbylljes
Duke nisur që këtë të mërkurë, çdo administrator firme me xhiro deri në 14 milionë Lekë, aktiviteti i të cilës nuk lejohet për shkak të masave kundër përhapjes së pandemisë COVID-19, mund të aplikojë online në Drejtorinë e Tatimeve për të përfituar “pagën e luftës”, për vete dhe punonjësit.
Në një intervistë me skype, zv/ministrja e Financave Vasilika Vjero sqaron se aplikimi bëhet në llogarinë personale e-filing të çdo tatimpaguesi, dhe pas plotësimit të emrave të punëtorëve, niptit të kompanisë dhe llogarive bankare të punëtorëve, brenda 10 ditësh tatimet do të derdhin shumën 26 mijë Lekë për secilin.
Vasilika Vjero thotë se efektet financiare të përfitimit do të fillojnë që në kohën e mbylljes së biznesit, dhe jo më 1 Prill.
Ajo sqaron se për ndërmarrje të vogla të cilat kanë në fushën e tyre disa lloje aktivitetesh ku një pjesë lejohet dhe disa të tjera jo, do të jepet “paga e luftës” nëse të ardhurat kryesore të saj përfitohen nga aktivitetet e mbyllura.
Pagesa do të dyfishohet edhe për familjet me ndihmë ekonomike dhe individët që marrin pagesë papunësie. Ata nuk duhet të bëjnë asnjë veprim administrativ pasi pagesat do të jepen të rritura në datën që ata e marrin ndihmën çdo muaj.
Tv Klan