Pesëmbëdhjetë milionë euro do të kushtojë faza e katërt e projektit të kanalizimeve dhe impiantit të përpunimit të ujërave të zeza në qytetin e Korçës.

Fillimi i punimeve u inaugurua nga ambasadori gjerman Boschard, sipas të cilit Gjermania do vazhdojë të mbështesë me investime Shqipërinë.

Bernard Boschard: “Që prej vitit 1988, Gjermania ka vendosur në dispozicion të Shqipërisë një volum të përgjithshëm fondesh financiare prej 900 milionë eurosh. Ky është një tregues i qartë i rëndësisë që Gjermania i kushton Shqipërisë si pol i stabilitetit në rajon. Kjo nënvizon edhe rëndësinë mjaft të madhe që ne i kushtojmë Shqipërisë dhe mbështetjes që duhet t’i japim këtij vendi për ta aftësuar sa më shpejt në rrugën drejt Bashkimit Evropian”.

Ministrat Bode dhe Olldashi vlerësuan bashkëpunimin me qeverinë gjermane dhe ndihmën e konsiderueshme që ajo ka dhënë në sektorë të rëndësishëm të jetës publike.

Ridvan Bode: “15 milionë eurot që fillojmë sot, të inaugurojmë sot do të jenë pjesë e një pakete investuese në infrastrukturën e qytetit dhe të zonës përreth, e cila do të mundësojë shndërrimin e Korçës në modelin e qyteteve moderne evropiane.”

Sokol Olldashi: “Dua të falënderoj KfW për gatishmërinë që ka dhënë jo vetëm për këtë investim, por për një zinxhir të gjatë investimesh në sektorin e ujit dhe patjetër dua të falënderoj ambasadorin gjerman si përfaqësues të qeverisë gjermane, e cila është kontribuuesi kryesor në sektor dhe një nga kontribuentet më themelorë në zhvillimin e Shqipërisë së këtyre 20 viteve të fundit”.

Përveç kanalizimeve dhe impiantit të ujërave të zeza, projekti parashikon edhe rehabilitimin e një pjese të konsiderueshme të rrugëve, ku do zbatohet projekti.

Investimet gjermane në qytetin e Korçës kapin shifrën e 63 milionë eurove, duke bërë të mundur që Korça të jetë i pari qytet në vend,që përmbush standardet në furnizimin me ujë të pijshëm dhe kanalizimet e ujërave të zeza./tvklan.al