Ndonëse e ka përshëndetur reagimin e Bashkisë pas shqetësimit të shprehur nga Kryeministri Sali Berisha mbi gjendjen skandaloze të sheshit “Skënderbej”, Ministri i Punëve Publike konteston se ndërhyrja në shesh është jo ligjore.
Në një deklarim publik, ministri Olldashi tha se bashkia ka nisur punimet pa projekt, duke anashkaluar madje dhe vendimmarrjen për këtë qëllim në KRRTRSH dhe keqpërdorur si rrjedhim paratë e qytetarëve.
Duke renditur këto dhe të tjera argumente, ministri Olldashi tha se kryetari i bashkisë po ndërhyn në shesh për qëllime klienteliste.
Sokol Olldashi: “Kryetari i bashkisë po ndërhyn ën shesh pa pasur një projekt, pavarësisht se thuhet prej tij se ka një projekt nga studio 51. Së pari studio 51, ka qenë një studio e një klienti të vjetër të zotit Rama, ish shokut të tij të dhomës, Andri Sala në Paris. Së dyti, ligjërisht qendra e Tiranës ka një plan të aprovuar që është plani francez dhe për të cilin ju besoj jeni të gjithë në dijeni. Në qoftë se bëhet ndryshimi i këtij plani është domosdoshme që plani të paraqitet për miratim në këshillin e rregullimit të territorit të republikës së Shqipërisë, gj që nuk ka ndodhur. Ndryshimet nga plani francez janë të thella dhe për më keq ato janë tërësisht klienteliste. Në qoftë se i referoheni hartës të cilën ne e kemi në dispozicion, jo zyrtarisht, bëhet fjalë për … ndryshime që lidhen me interesa konkrete të disa njerëzve të afërt të zotit Rama, përfshirë hotelet e Koços dhe të Dashit.”
Ministri Olldashi tha se qeveria nuk do të lejojë ndërhyrje në Sheshin “Skënderbej” të cilat nuk kanë lidhje me interesat e qytetarëve.
Sokol Olldashi: “Ne nuk kemi ndërmend të lejojmë që pa plan të miratuar të shpenzohen fonde të kontraktuara nga qeveria e Shqipërisë për të bërë ndërhyrje në sheshin Skënderbej që nuk kanë asnjë lidhje me interesat e qytetarëve, por kanë lidhje vetëm me interesat e hoteleve të Koços dhe të Dashit. Kështu që e ftoj zotin Rama të reagojë shpejt, por këtë radhë edhe në mënyrë ligjore, të dërgojë planin për miratim dhe shqyrtim këtu sepse është në kundërshtim flagrant edhe me ligjin për urbanistikën edhe me vendimin 180 të vitit 2000 të Këshillit të Ministrave ku vetë zoti Rama ka qenë anëtar që parashikon mënyrën se si ndërhyhet në Ansamblin, monument kulture të Tiranës që shtrihet nga Sheshi “Nënë Tereza” deri tek Stacioni i Trenit.”
Shqetësimin për gjendjen e rëndë të Sheshit “Skënderbej” e ngriti Kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së radhës së Qeverisë.
Tashmë debati është zhvendosur në ligjshmërinë e ndërhyrjes së Bashkisë në shesh, e cila sipas Ministrisë së Punëve Publike po devijon vendimmarrjet institucionale, duke shërbyer interesave të klientëve politik-ekonomik të kryetarit të saj, Edi Rama./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi