Në Itali ka nisur gjyqi më i madh kundër mafias, të paktën në tre dekadat e fundit. Janë më shumë se 900 dëshmitarë që do të dëshmojnë kundër 350 të akuzuarve, të cilët janë pjesë e grupit kriminal që njihet me emrin “Ndrangheta”.
Salla e gjyqit është ndërtuar së fundmi dhe ka kapacitet për të mbajtur më shumë se 1000 persona, duke respektuar dhe masat kundër COVID. Por për shkak të kufizimeve nga COVID-19, shumë prej të arrestuarve do të përgjigjen për akuzat nga qelia e tyre nëpërmjet lidhjeve direkte.
Pothuajse të gjithë të pandehurit u arrestuan në Dhjetor 2019 pas një hetimi të gjatë që filloi në 2016 dhe u shtri në të paktën 11 rajone Italiane. Rreth 2,500 oficerë morën pjesë në këto operacione, për goditjen e një prej bandave më të madha, ‘Ndrangheta’.
Gjatë operacionit, efektivët arrestuan disa të dyshuar që fshiheshin në bunkerë në disa zona të veçuara dhe larg vëmendjes së njerëzve. Pritet që në gjyq të publikohen prova si përgjime, pamje filmime, dëshmi në të cilat do të mbështeten akuzat e prokurorëve./tvklan.al