Anëtarët e klanit famëkeq mafioz ‘Ndrangheta janë në shënjestër të një operacioni masiv policor, që po zhvillohet në mënyrë të koordinuar në disa shtete europiane.
Sipas asaj që shkruan BBC, me qindra oficerë policie janë përfshirë në operacionet që po zhvillohen në Belgjikë, Itali, Gjermani dhe Holandë. Policia italiane tha se deri më tani janë arrestuar të paktën 90 persona, megjithatë operacioni vijon tjetërkund.
Mafia ‘Ndrangheta akuzohet për trafik kokaine, pastrim parash, ryshfet e dhunë. Në qendër të këtyre operacioneve mësohet se ishin shtëpi, restorante italiane e biznese të tjera të ndryshme.
Eurojust, agjencia europiane e bashkëpunimit gjyqësor kundër krimit, tha se operacioni i quajtur “Pollino” ka nisur që prej vitit 2016 dhe detajet zyrtare rreth tij do të zbulohen më vonë gjatë ditës së mërkurë, në një konferencë për shtyp.
‘Ndrangheta e ka origjinën nga Kalabria, në jug të Italisë. Teksa mafia siçiliane u bë e famshme falë filmave e televizionit, ‘Ndrangheta besohet se kontrollon rreth 80 përqind të tregut europian të kokainës. Me rreth 6 mijë anëtarë, ajo është forcë e madhe dhe e përhapur gjerë e krimin nëpër Europë.
Operacioni në fjalë vjen një ditë pasi policia italiane arrestoi “Godfather”-in e ri të Mafias Siçiliane, Settimo Mineo. Argjendari 80-vjeçar besohet se u zgjodh si pasues i Toto Riina, i cili vdiq në burg vitin e shkuar. Lideri i ri i Cosa Nostra u arrestua së bashku me të paktën 45 bashkëpunëtorë të tjerë.
//tvklan.al