Ka nisur mesnatën e së shtunës heshtja zgjedhore për të gjitha partitë politike që garojnë në zgjedhjet legjislative 2009.
Përmbyllja e fushatës nga dy forcat kryesore politike në vend është shënuar gjatë mbrëmjes së djeshme me dy mitingje në qendër të kryeqytetit.
Partia Demokratike ka zgjedhur sheshin Skënderbej prej nga u ka kërkuar shqiptarëve votën për të vazhduar ndryshimin e Shqipërisë dhe integrimin drejt BE, ndërsa Partia Socialiste i është drejtuar elektoratit të majtë nga bulevardi Dëshmorët e Kombit prej nga zhvilloi mitingun elektoral.
Heshtja zgjedhore do të zgjasë deri në përfundim të procesit të votimit. Qendrat e votimit në të gjithë Shqipërinë do të hapen ne orën 7 të mëngjesit të ditës së diel për t’u mbyllur në orën 19:00 të po kësaj dite.
Në të gjithë vendin janë 3.1 milion shqiptarë që kanë të drejtën e votës për të zgjedhur 140 deputetët e rinj që do të përfaqësojnë zgjedhësit ne legjislativin e ardhshëm./tvklan.al