Studiues, biologë, historianë e studiues të tjerë u mblodhën sot në Akademinë e Shkencave, sepse për herë të parë kanë nisur identifikimin e vlerave shpirtërore dhe kulturore që mbartin Monumentet e Natyrës.
Shpirtërore, sepse shumë prej tyre lidhen me një besim të trashëguar brez pas brezi, siç është pema e Rrapit, e ruajtur dhe e mbrojtur nga njerëzit lokalë veçanërisht në Jug, ndërsa kulturore, për vetë legjendat dhe gojëdhënat që mbartin, siç janë të trashëguara shumë të tilla, në Liqenet Akullnajore.
Përpjekja aktuale e akademikëve lidhet me zgjerimin e zonave të mbrojtura dhe shpalljen e tyre monument natyror, çka do t’i hapte rrugën mbrojtjes së tyre. Por edhe në këtë rast akademikët thonë se ligji nuk respektohet.
Identifikimi i këtyre monumenteve dhe historiku i tyre kulturor, do t’i hapte rrugën për t’i shndërruar si destinacione turistike në këtë valë, por edhe këtu akademikët janë të pasigurt kur vjen puna e mbrojtjes së tyre nga turizmit masiv. Gjithsej në Shqipëri janë 721 monumente natyre që duhen studiuar dhe listuar sipas vlerave dhe rëndësisë që mbartin.
Tv Klan