Brenda kësaj jave do të ekzekutohet vendimi i qeverisë për mbylljen e Tik Tokut, vendim që mori kohë për të kaluar në qeveri siç shpjegon Kryeministri për arsye teknike.
“Arsyeja pse vendimi u mor vetëm javën e shkuar ka të bëjë me kapacitetet teknike për të realizuar mbylljen e platformës që kanë kërkuar kohën e tyre. E para nuk ka të bëjë gjëkundje me lirinë e fjalës e zgjedhjet. Unë uroj të jetë e përkohëshme e do të zgjasë derisa kompania të na japë një plan bindës sigurie për prindërit në edukimin e fëmijëve”, thotë Rama.
Arsyeja që e bëri Ramën të reagojë në lidhje me këtë vendim është qëndrimi i Sali Berishës që ka thirrur një protestë të shtunën ku ka ftuar prindër e fëmijë të protestojnë kundër censurës. Sipas kryeministri kjo është simptomë serioze që tregon për filozofinë që udhëheq këtë forcë dhe aleatët e saj, për të cilët ai përdor një sërë epitetesh.
“Kjo është këneta jonë opozitare e filozofia e saj. Kjo ka qenë e do të jetë, derisa të ketë bufin që vigjëlon nga ballkoni mbi të gjithë gjindjen poshtë në kënetë duke kthyer përfaqësuesit e popullit opozitarë në ca zvarranikë e insekte mediatike që kafshojnë e pickojnë duke helmuar pa pushim corbën e debatit politiko mediatik shqiptar. 95% e prindërve e mësuesve na thanë mbyllni TikTok një orë e më parë. Besoj se duhet marrë tejet seriozisht si simptomë lajthitjeje e rrezikshme. Të bën për të qeshur kur sheh karavidhet e Shqipërisë madhështore, por nuk është më për të qeshur kur shkon deri tek fëmijët dhe i përfshin ata në kënetën e paskrupullt”, thekson kreu i qeverisë.
Rama i përgjigjet dhe atyre që e akuzojnë se është i frikësuar nga rezultati i 11 Majit ndaj po merret me Berishën të cilin deri përpara 2 muajve e ka injoruar si kundërshtarin real.
“Nuk është çështje trimërie, por ardhmërie apo fikjeje për Shqipërinë. Disa u duhet kujtuar se Shqipëria nuk mund të hyjë në diskutime nëse do të bëhet njësh me ne për të futur fëmijët në Europë apo për tu bërë me bufin e TikTok për tu zhytur bashkë me fëmijët në grope”, thotë Rama.
Tv Klan