Këtë të hënë, pas katër ditë përmbytje, ka nisur të përmirësohet situata në jug të vendit.

Në Vlorë niveli i Vjosës është tërhequr dhe uji është prezent kryesisht në fshatin Fitore. Në këtë rajon ka nisur shpërndarja e ndihmave për familjet që u prekën nga përmbytjet.

Në Fier gjithashtu situata është drejt përmirësimit, ndërsa në zona të caktuara po punohet për largimin e ujit të mbetur.

Në Darzezë, Forcat e Ushtrisë kanë punuar gjatë natës dhe përfunduan urën provizore, që lidh fshatin me rrugën kryesore.

Lumi Vjosë është rikthyer në kuotat normale, në nivelin 6 metër dhe situata është përmirësuar.

Edhe në Elbasan ka përmirësim të ndjeshëm, ndërsa energjia është rikthyer në pjesën më të madhe të fshatrave.

Në Lushnje vijojnë të jenë të përmbytura 300 ha në fshatin Imsht nga lumi Seman, ndërsa në Tëburf janë 1500 ha.

Në Fushë Krujë në zonat tradicionale të prekura nga përmbytjet vazhdon të ketë ujë.

Këtë të hënë pjesa më e madhe e vendit do të jetë me vranësira dhe reshje të përkohshme shiu, ndërsa borë ka në juglindje dhe në verilindje të vendit.

Në Dukagjin ka rrugë vështirësisht të kalueshme për shkak të borës.

Temperaturat e ajrit do të vazhdojnë të bien kryesisht në veri të vendit.

/abcnews.al