Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Kanë dalë nga lokali pas goditjes së parë të fadromës e nxjerrjes me forcë nga policia, punonjësit e ndërtesës në hyrje të aeroportit. Dy lokale buzë tij me vendim të KRRTRSH, u përfshin në objektet që do të prisheshin për arsye të ristrukturimit të aeroportit, por dhe sigurimit të tij.

Hapësirat e zëna prej tyre, sipas një plani urbanistik, do të shkojnë për zgjerimin e sheshpushimit e për parkime në këtë aeroport. Pronarët kanë rezistuar deri në momentin kur faroma nuk ka pyetur për të gjallët. Me parulla mosndërhyrjen ata ia kërkonin kryeministrit, duke treguar dhe dokumentacionin e marrëveshjes me shtetin.

Pronari:- “Jemi me gjithë dokumentet është prona jonë, me numër hipoteke, me leje ndërtimi nga KRT e rrethit Krujë, firmosur nga bashkia, me projekt, me supervizion dhe leje shfrytëzimi Bar-Restorant”.

Gazetarja: Trualli mbi të cilin keni ndërtuar këtë lokal dykatësh, i kujt është?

Pronari:- “Trualli është shtetëror, por ne e kemi me qira. Paguajmë qiranë komunës së Niklës, jemi të shlyer deri sot”.

Ndërsa policia ndërtimore, pas lënies së 5 ditëve afat, sqaron, që vjen për të zbatuar vendimin e KRRTRSH.

Policia Ndërtimore:- “Organi i KRRTRSH shfuqizon vendime të jashtëligjshme të marra nga organet e KRT nëpër rrethe dhe nëpër bashki. Ky është një vendim i KRRTRSH, si shumë vendime të tjera, të cilat i shfuqizon këto leje që janë marrë në vendim me ligjin për urbanistikën”.

Vendimi për zgjerimin dhe ristrukturimin për aeroportin “Nënë Tereza” është marrë në fund të muajit Janar nga KRRTRSH./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti